“Festa e Madarinës” në Konispol është kthyer në një traditë të përvitshme tashmë.
Fermerët, banorë të zonës, por edhe shumë të ftuar të tjerë vendas dhe të huaj, festojnë thuajse çdo fund nëntori sezonin e vjeljes së mandarinave, përmes aktiviteteve të ndryshme për fëmijë, vizita në plantacionet dhe fabrikat e përpunimit në fshat, panair me produkte lokale, muzikë e ushqime tradicionale etj.
Në festën e organizuar me këtë rast në Konispol, që është e mirënjohur tashmë për plantacionet me mandarina dhe prodhimin cilësor të këtij produkti, “Made in Albania”, ishte i pranishëm edhe zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote.
Kote tha se, në mbështetje të këtij sektori në Konispol do të nisë zbatimi i projektit për sistemin e ujitjes me presion.
“Përmirësimi i vaditjes në mbi 2200 ha tokë bujqësore do të rrisë qëndrueshmërinë dhe rendimentin e prodhimit”, u shpreh Kote.
“Festa e Mandarinës” synon të promovojë prodhimin vendas të mandarinave dhe kjo festë është shembulli konkret që flet për suksesin e prodhimit dhe të eksportit në rritje të mandarinave.
Sipas MBZHR-së mandarinat e zonës së Konsipolit vlerësohen të një cilësie të lartë dhe prodhim pa pesticide të dëmshme dhe kjo bën që eksportet e mandarinave të preferohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja, kryesisht në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Poloni e Çeki, por dhe në vende të tjera të Europës Lindore e të Ballkanit.
Ndërkohë që plantacionet me mandarina dhe agrume të tjera në Konispol janë kthyer në një model investimi në bujqësinë shqiptare, ku angazhojnë në punë pothuajse të gjithë banorët e bashkisë Konispol, teksa gjenerojnë punësim edhe për banorë nga zona të tjera të Ksamilit, Delvinës, ato ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në rritjen e të ardhurave për ekonomitë fermere.



