Në kuadër të ITB Berlin 2025, ku Shqipëria është vendi mikpritës, u zhvillua një panel i rëndësishëm mbi rolin e vendit tonë si portë kryesore hyrëse për turizmin në Evropën Juglindore.
Nën moderimin e Lavdërim Hoxhës, Këshilltar i Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, paneli mblodhi drejtues të rëndësishëm të industrisë, përfshirë përfaqësues nga Air Albania, Tirana International Airport, One Albania dhe përfaqësues të hoteleve në zonat bregdetare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga ky panel.
“Në këtë panel çështjet kryesore të diskutuara ishin përmirësimi i lidhjeve ajrore dhe strategjitë për të tërhequr më shumë linja ndërkombëtare. Transformimi digjital i turizmit për të ofruar një përvojë moderne për vizitorët. Zhvillimi i markës së Shqipërisë si një destinacion premium dhe i qëndrueshëm”, tha Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “ky diskutim nënvizoi përkushtimin e Shqipërisë për t’u shndërruar në një qendër kyçe për turizmin në rajon”.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB Berlin synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e tur-operatorëve në stendën e Shqipërisë.



