Audi Q3 i ri vjen me dizajn të freskët dhe teknologji të avancuar
A

Audi Q3 i ri vjen me dizajn të freskët dhe teknologji të avancuar

Audi po vazhdon ofensivën e saj për të rinovuar modelet, dhe pas A5, Q5 dhe modeleve elektrike A6 e Q6 e-tron, tani ka ardhur koha për SUV-in më të vogël – gjenerata e tretë e Audi Q3.

Modeli i ri sjell ndryshime të mëdha në pamje dhe teknologji. Në pjesën e jashtme bien në sy dritat e reja të ndara, si përpara ashtu edhe prapa – një trend që nuk u ndoq nga Q5. Dritat e sipërme të ditës janë të dukshme, ndërsa ato kryesore Matrix LED janë të fshehura pas xhamit të errët në një maskë me shkëlqim.

Çdo dritë përmban deri në 25,600 mikro-dioda LED, çka e bën ndriçimin tepër preciz, por edhe me kosto të lartë zëvendësimi. Në pjesën e pasme, dritat OLED janë të ndara në dy njësi dhe mund të personalizohen me deri në gjashtë konfigurime ndriçimi.

Për herë të parë, Audi ka hequr tubat dekorativë të shkarkimit. Q3 ka një pamje më të pastër, me tubin real të fshehur, ndryshe nga Q5 që ende i ofron ato edhe në modelet bazë.

Profili anësor i ngjan Q5, me skaje të frymëzuara nga Quattro origjinal. Modeli ofrohet me fellne nga 17 deri në 20 inç, ndërsa gjerësia e gomave është rritur dhe rezistenca aerodinamike është përmirësuar.

Brendësia ndjek filozofinë e re të Audi-t: nuk ka ekran për pasagjerin, por shoferi merr një panel digjital 11.9 inç dhe ekran qendror 12.8 inç me Android Automotive. Risitë përfshijnë kontrolle haptike në timon, xhama akustikë për një udhëtim më të qetë, dhe një organizim të ri të konsolës – me levën e marsheve të zhvendosur pas timonit, duke liruar hapësirë për mbajtëse gotash dhe porta USB.

Audi premton cilësi më të lartë të brendshme, pas kritikave në gjeneratën e mëparshme.

TË FUNDIT