Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare
K

Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare

Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, ka lansuar një emision të ri të pullave postare, të dedikuara për katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

Ky edicion paraqet një eksplorim vizual të pasurisë nëntokësore të Kosovës, duke ofruar dëshmi të rralla të trashëgimisë gjeologjike, arkeologjike, biologjike dhe kulturore. Përmes pullave, qytetarët dhe koleksionistët kanë mundësi të njihen më afër me bukuritë dhe vlerat natyrore të vendit tonë, transmeton AutoPortali.

Shpella e Kusarit, e vendosur pranë fshatit Kusar në Gjakovë, është pjesë e formacioneve karstike të Malit Pashtrik. Me origjinë mijëvjeçare dhe formuar në shkëmbinj gëlqerorë, ajo përmban gjurmë të banimit të hershëm dhe përbën një burim me interes për studiues e vizitorë.

Shpella “Gryka e Madhe”, ndodhet 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit në Grykën e Rugovës, dhe njihet për format mbresëlënëse të stalaktiteve dhe stalagmiteve, si dhe për praninë e lumenjve dhe liqeneve nëntokësore. Ajo renditet si një ndër shpëllat më të mëdha dhe më të rëndësishme në Kosovë për nga vlera turistike dhe speleologjike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, përfaqëson një lokalitet me rëndësi arkeologjike. E banuar që nga lashtësia, shpella përmban objekte qeramike dhe artefakte gurësh, si dhe një liqen të brendshëm që krijohet nga pikimi i stalaktiteve.

Shpella e Demës, afër hyrjes së Grykës së Rugovës dhe Patrikanës së Pejës, ka rëndësi të veçantë historike dhe natyrore. Ajo ilustron lidhjen e gjatë ndërmjet njeriut dhe natyrës, me gjurmë të qarta të jetës njerëzore ndër shekuj.

Përmes këtij emisioni të ri, Posta e Kosovës synon të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, duke e kthyer pullën postare në një simbol të vlerave kombëtare dhe një mjet të fuqishëm promovimi ndërkombëtar.

TË FUNDIT