Udhëtim drejt Balit? Ja çfarë ka ndryshuar pas shpërthimit të vullkanit
U

Udhëtim drejt Balit? Ja çfarë ka ndryshuar pas shpërthimit të vullkanit

Aeroporti i Balit është rihapur pas shpërthimit të vullkanit Mount Lewotobi Laki-Laki, por udhëtarët janë paralajmëruar të presin ndërprerje të mëtejshme.

Një video tregoi një re të dendur tymi portokalli që ngrihej të martën në mbrëmje nga vullkani 1585 metra i lartë në ishullin Flores.

Vullkani shpërtheu sërish të mërkurën në mëngjes, duke çuar një re hiri deri në 11 kilometra në ajër, që u pa edhe në distanca prej 90 deri në 150 kilometra larg, përfshirë zona malore të East Nusa Tenggara.

Aktualisht nuk janë raportuar viktima, por hiri vullkanik mund të dëmtojë dhe të çaktivizojë motorët e aeroplanëve. Meqenëse reja e hirit ka ndikuar edhe në hapësirën ajrore, disa fluturime drejt dhe nga Australia dhe Zelanda e Re janë anuluar.

Ky vullkan kishte shpërthyer disa herë në nëntor, duke lënë të vdekur nëntë persona dhe detyruar mijëra banorë të evakuohen.

Virgin Australia

Virgin Australia anuloi 10 fluturime nga Sidnei, Melburn, Brisbejn dhe Gold Coast drejt Denpasar-it, ku ndodhet aeroporti kryesor i Balit – Aeroporti Ndërkombëtar I Gusti Ngurah Rai.

Një zëdhënës i tha News.com.au se aktualisht shërbimet për në Bali nuk janë ndryshuar.

Kompania ajrore po punon për të sistemuar të gjithë udhëtarët në fluturimin e parë të mundshëm pas anulimeve.

“Ekipi ynë po punon me përkushtim për të siguruar që të gjithë pasagjerët e prenotuar në shërbimet tona të arrijnë në destinacionin e tyre sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Ne i inkurajojmë udhëtarët që po udhëtojnë për në ose nga Bali të kontrollojnë përditësimet më të fundit për statusin e fluturimit në faqen apo aplikacionin e Virgin Australia,” thuhej në deklaratën e së mërkurës.

Virgin Australia po bashkëpunon me aeroportin e Denpasar-it për të planifikuar fluturime shtesë për dje.

News.com.au mëson se Virgin Australia ka një politikë kompensimi për udhëtarët, që përcakton çfarë përfitimesh kanë klientët në rast ndërprerjeje të fluturimeve – përfshirë alternativa të tjera fluturimi, kthim krediti ose rimbursim të vlerës së prenotimit, si dhe mundësi për të kërkuar rimbursim për shpenzimet e arsyeshme të shkaktuara nga ndërprerja.

Jetstar

Jetstar anuloi katër fluturime mëngjesin e sotëm midis Australisë dhe Balit.

“Klientët e prekur janë njoftuar drejtpërdrejt dhe u janë ofruar disa mundësi,” tha kompania në një deklaratë.

Meqenëse pritet që kushtet atmosferike të mbeten të qarta, kompania do të rifillojë fluturimet sot..

“Ne vazhdojmë të rekomandojmë që klientët të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre në Jetstar.com para se të vijnë në aeroport,” thuhej në deklaratën e së enjtes.

“Siguria është gjithmonë prioriteti ynë numër një dhe falënderojmë klientët tanë për durimin dhe mirëkuptimin ndaj ndërprerjeve të së mërkurës.”

“Klientët që ende kanë nevojë për ndihmë mund të na kontaktojnë përmes opsionit ‘Start Live Chat’ ku një përfaqësues i shërbimit ndaj klientit do t’i ndihmojë.”

Air New Zealand

Fluturimi i Air New Zealand NZ290 nga Auckland për në Bali sot do të zhvillohet sipas planifikimit.

“Vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën,” tha drejtori operativ Alex Marren.

Qantas

Të mërkurën, Qantas kishte të planifikuara dy fluturime drejt Denpasar-it (një nga Sidnei dhe një nga Melburni), të cilat u vonuan për rreth një deri në dy orë.

News.com.au raporton se fluturimet e Qantas drejt Balit janë aktualisht në funksion normal sot (e enjte).

TË FUNDIT