Kompania japoneze e prodhimit të automjeteve, Honda, ka njoftuar tërheqjen e 259,033 automjeteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të një defekti të mundshëm në pedalin e frenave, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e drejtimit.
Sipas njoftimit të Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA), problemi qëndron te një pin i boshtit të pedalit të frenës, i cili mund të zhvendoset nga pozicioni i tij dhe të pengojë funksionimin normal të frenimit. Deri tani, janë regjistruar tre ankesa përmes garancisë, por fatmirësisht nuk janë raportuar aksidente apo lëndime.
Modelet e përfshira në këtë tërheqje janë:
Honda Pilot (vitet 2023–2025)
Acura TLX (vitet 2021–2025)
Acura MDX (vitet 2023–2025)
Defekti është identifikuar në një fabrikë furnizuese në SHBA, e cila tashmë është ndalur nga prodhimi, ndërsa prodhimi i pjesëve është transferuar në një njësi tjetër në Meksikë, me standarde më të larta kontrolli dhe sigurie.
Honda ka filluar të njoftojë shoferët që prej 13 qershorit, ndërsa pronarët e automjeteve do të marrin njoftime zyrtare me postë duke filluar nga 28 korriku 2025. Riparimi i pjesës së defektuar do të ofrohet falas në të gjitha pikat e autorizuara të shërbimit.
Pronarët e automjeteve të prekur këshillohen të kontrollojnë sa më parë nëse makina e tyre bën pjesë në listën e thirrjes përmes faqes së NHTSA ose të kontaktojnë mekanikun më të afërt./AutoPortali



