Jordania mes zjarrit rajonal: Udhëtim, këshilla dhe kufij të hapur
J

Jordania mes zjarrit rajonal: Udhëtim, këshilla dhe kufij të hapur

Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë nisur më 13 qershor dhe pritet të vazhdojnë për një të ardhme të parashikueshme. Edhe pse Jordania nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, ajo është ndikuar ndjeshëm. Vendi është detyruar të ndërpresë dronë të armatosur të nisur nga Irani, për shkak të frikës se mund të binin në territorin jordanez, si dhe ka mbyllur hapësirën e vet ajrore dy herë për shkak të kërcënimit nga raketat.

Meqë hapësira ajrore izraelite vijon të jetë e mbyllur, kufiri tokësor me Jordaninë është kthyer në pikën kryesore të daljes për vizitorët që largohen nga Izraeli, por pikat kufitare funksionojnë vetëm për disa orë të kufizuara gjatë ditës. Situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të ndryshojë në çdo moment — më poshtë janë informacionet që duhet të dini aktualisht.

Cili është rekomandimi më i fundit i qeverisë britanike për udhëtimet drejt Jordanisë?

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar këshillon të shmanget çdo udhëtim brenda 3 kilometrave nga kufiri i Jordanisë me Sirinë — ky këshillim ka qenë në fuqi edhe para shpërthimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Pjesa tjetër e vendit konsiderohet përgjithësisht e sigurt për udhëtim. Megjithatë, për ata që planifikojnë një udhëtim në Jordani ose kanë fluturime së shpejti, ka disa gjëra për t’u pasur parasysh.

Sipas The Times, Jordania e ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore dy herë për shkak të shkëmbimeve të zjarrit mes Izraelit dhe Iranit. Edhe pse tashmë hapësira ajrore është rihapur, Ministria e Jashtme paralajmëron se “aeroportet dhe hapësira ajrore mund të mbyllen pa paralajmërim”.

Udhëtarët që ndodhen në Jordani këshillohen të kontaktojnë me kompaninë ajrore dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore. Ata që ende nuk kanë udhëtuar, duhet të verifikojnë gjendjen me linjën ajrore dhe të konsultohen me kompaninë e sigurimit të udhëtimit për të sqaruar çfarë mbulohet në rast emergjence.

Ka rrezik që fragmente apo mbetje raketash të bien në territorin jordanez.

“Nëse ndeshni fragmente raketash apo mbetje të tyre, largohuni menjëherë dhe kontaktoni autoritetet vendore.”,ka këshilluar Ministria e Jashtme.

A janë të hapura kufijtë tokësorë me Izraelin?

Po, kufijtë janë ende funksionalë dhe shërbejnë si pika kryesore daljeje për udhëtarët që largohen nga Izraeli. Megjithatë, janë të hapura vetëm për disa orë në ditë dhe mund të mbyllen pa paralajmërim.

Tre pikat kufitare janë:

  • Ura e Mbretit Husein (Allenby Bridge): 08:00 – 14:30
  • Kalim i Veriut (Sheikh Hussein/Beit Shean): 08:30 – 14:30
  • Kalim i Jugut (Wadi Araba): 08:00 – 20:00

Më 16 qershor, Ministria e Jashtme britanike njoftoi se do të dërgojë ekipe ndihme për të asistuar udhëtarët që kalojnë nga Izraeli drejt Jordanisë. Udhëtarët që ndodhen ende në Izrael duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre pranë Ministrisë së Jashtme britanike dhe Zyrës Turistike Izraelite, e cila po koordinon largimet.

A është prekur Jordania nga konflikti Izrael-Hamas?

Jordania nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftimet, por ka pasur ndikime të ndjeshme për shkak të afërsisë gjeografike dhe rolit diplomatik për paqen. Për shembull, gjatë sulmit raketor iranian më 1 tetor 2024, Jordania mbylli hapësirën e saj ajrore. Po ashtu, më 13 prill 2024, forcat ajrore jordaneze rrëzuan dhjetëra dronë iranianë që kaluan hapësirën ajrore të Jordanisë drejt Izraelit.

A është e sigurt të udhëtosh në Jordani tani?

Po, përveç zonës kufitare me Sirinë, nuk ka këshilla për të shmangur pjesë të tjera të vendit. Megjithatë, rekomandohet vigjilencë. Nivelet e kriminalitetit janë përgjithësisht të ulëta dhe përfshijnë më së shumti xhepistë apo vjedhje në makina. Mbani me vete ID-në dhe mbani të sigurta sendet me vlerë.

Ka raste ku përplasjet mes fiseve apo grupeve sociale kanë përfunduar me dhunë apo përdorim armësh. Po ashtu, ekziston rreziku nga sulmet terroriste, të cilat mund të ndodhin në vende turistike si hotele, qendra tregtare apo vende historike. Incidenti më i fundit i madh ndodhi në vitin 2019 në Jerash, ku një sulm me thikë la të plagosur tetë persona.

Cilat janë kërkesat për hyrje në Jordani?

Qytetarët britanikë duhet të kenë vizë turistike, e cila mund të merret në mbërritje. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën 6 muaj nga dita e mbërritjes.

Kostoja: 40 dinarë jordanezë (rreth 42 paund), vlen për një muaj.

Zgjatja: Mund të zgjatet deri në 6 muaj brenda vendit.

Kërkesë shtesë: Nëse qëndroni më shumë se 30 ditë, duhet të bëni test HIV dhe të merrni certifikatë shëndeti (20 dinarë).

Taksa daljeje: 10 dinarë nëse dilni nga kufiri tokësor (jo për fluturime).

A është Jordania e sigurt për udhëtaret gra?

Po, por gratë udhëtare mund të përballen me ngacmime verbale apo fizike, sidomos në zona të largëta. Rekomandohet të shmanget ecja vetëm, sidomos natën, dhe të mos ulen në sediljen e përparme të taksisë.

A është Jordania e sigurt për udhëtarët LGBT?

Ligji jordanez nuk ndalon shprehimisht marrëdhëniet homoseksuale, por shfaqjet publike të dashurisë midis çifteve të së njëjtës gjini nuk tolerohen dhe mund të çojnë në ndëshkime.

A lejohet alkooli në Jordani?

Po, pavarësisht se është një vend me shumicë myslimane, alkooli lejohet. Por është e ndaluar ta konsumoni në rrugë — lejohet vetëm në bare, klube, hotele dhe ambiente private.

Gjatë Ramazanit, edhe pse restorantet në qytete si Ammani qëndrojnë hapur, ngrënia në publik gjatë ditës nuk është e këshillueshme.

TË FUNDIT