Parisi është shpallur qyteti europian më miqësor për fëmijët sa i përket infrastrukturës urbane. Ky vlerësim sipas TimeOut, vjen nga një analizë e realizuar nga organizata Clean Cities, e cila krahasoi 36 qytete të mëdha europiane mbi bazën e kritereve si siguria rrugore, kufizimet e shpejtësisë dhe infrastruktura për biçikleta.
Me 75% të pikëve të mundshme, Parisi kryeson listën, falë reformave të thella që kanë transformuar hapësirat publike përreth shkollave.
Deri më tani, 220 rrugë janë kthyer në zona të ndaluara për makinat, ndërsa kufiri i shpejtësisë është ulur në 30 km/h pothuajse në të gjithë qytetin. Po ashtu, janë ndërtuar korsi të mbrojtura për biçikleta për të rritur sigurinë e të vegjëlve.
Ndërhyrjet nuk janë ndalur vetëm në transport. Bashkia e Parisit ka gjelbëruar mbi 130 oborre shkollash, duke i kthyer ato në hapësira freskuese me hije, ndërkohë që fëmijët përfitojnë transport publik falas, materiale shkollore falas që nga klasa e parë, si dhe dreka bio në shkolla dhe kopshte, me çmime të përballueshme për familjet me të ardhura të ulëta.
Parisi po avancon edhe në edukimin klimatik dhe zhvillimin digjital, me projekte si “Akademia për Klimën” dhe “Tumo Paris”.
Pas Parisit, renditen Amsterdami me 63%, Antwerpi me 62%, ndërsa në top 10 janë edhe Brukseli, Lyoni, Helsinki, Barcelona, Bristoli, Oslo dhe Ghent. /AutoPortali



