Në një treg makinash gjithnjë e më të shtrenjta dhe plot teknologji të ndërlikuar, një mekanik britanik i njohur ka ndarë një këshillë të thjeshtë, por të çmuar: Vetura më e besueshme është një model i vjetër, pa shumë “lukse të panevojshme” dhe me një çmim prej vetëm 600 eurosh, apo 500 paunds.
Bëhet fjalë për MK1 Ford Focus, një model i prodhuar rreth 20 vite më parë, por që sipas ekspertit Paul Lucas, vazhdon të tregojë forcën dhe besueshmërinë e tij në rrugët britanike.
Lucas, i cili është pronar i një MK1 Focus prej më shumë se 15 vitesh, thotë se nuk është penduar asnjëherë për blerjen që i kushtoi vetëm 500 paund, transmeton AutoPortali.
“Ky është një nga modelet më të besueshme që mund të blesh me pak para,” thotë ai. “Nuk ka pajisje të kota elektronike, nuk ka ndërlikime, madje edhe çelësi është tradicional dhe jo me buton start/stop.”
Ekspertët e AutoExpress të The Sun, e cilësojnë këtë model si “makinë me manovrim të jashtëzakonshëm”, falë sistemit të pezullimit të pasëm me shumë lidhje. Edhe pse motorët e tij nuk janë më të fuqishmit, njësitë 1.8 litra me 113 kuaj fuqi vazhdojnë të mbeten të freskëta dhe të qëndrueshme edhe pas viteve.
Hapësira e brendshme është një tjetër plus: 350 litra bagazh, vetëm 31 litra më pak se një Volkswagen Golf i ri.
Ndërsa çmimet e makinave të reja po arrijnë nivele rekord në Britani, shumë britanikë po kërkojnë alternativa të përballueshme për t’u kthyer në rrugë.
Në këtë kontekst, Mike Brewer, prezantues i njohur i emisionit automobilistik “Wheeler Dealers”, këshillon blerësit e makinave të përdorura të përfitojnë nga “part-exchange”, duke dhënë veturën e tyre të vjetër si pjesë të marrëveshjes për të ulur çmimin e blerjes së re.
“Pastrojeni veturën tuaj, bëjeni sa më tërheqëse dhe zgjidhni me kujdes tregtarin tek i cili do ta ndërrojë,” sugjeron Brewer.
Ndërkohë, Ford Puma, Kia Sportage dhe Nissan Qashqai kryesojnë listën e shitjeve të reja në Mbretërinë e Bashkuar për këtë vit, por për ata që kërkojnë diçka të thjeshtë, të lirë dhe të besueshme, MK1 Ford Focus mbetet një zgjedhje klasike. /AutoPortali




