Lexus është shpallur marka më e besueshme për vitin 2025, sipas studimit të fundit të J.D. Power Initial Quality Study, një nga matjet më të njohura të cilësisë fillestare të veturave në Shtetet e Bashkuara.
Në edicionin e 39-të të këtij studimi, janë anketuar 92,694 blerës dhe qiramarrës të veturave të prodhimit 2025, të cilët kanë raportuar problemet që kanë hasur gjatë 90 ditëve të para të përdorimit, transmeton AutoPortali.
Studimi u realizua midis qershorit 2024 dhe majit 2025, duke përfshirë 227 pyetje që varionin nga cilësia e motorit dhe infotainment-it, deri te përvoja e drejtimit dhe cilësia e brendshme.
Dominon Lexus, fundi për Audi dhe Volvo
Sipas Motor1, Teksa markat luksoze zakonisht kanë një histori jo shumë të lavdërueshme sa i përket besueshmërisë, këtë vit Lexus kryeson me 166 probleme për çdo 100 automjete. Në kontrast të plotë, Audi renditet në vendin e fundit me 269 probleme, ndërsa Volvo ndjek me 258 probleme për 100 makina.
Supriza e Nissan dhe Infiniti
Një tjetër fakt befasues i këtij viti është mospërputhja mes Nissan dhe Infiniti, dy marka nën të njëjtën ombrellë. Nissan, si markë popullore, u rendit në vendin e dytë me vetëm 169 probleme, ndërsa Infiniti, pjesa luksoze e kompanisë, u rendit drejt fundit me 242 probleme.
Mesatarja e përgjithshme për të gjitha markat ishte 192 probleme për 100 vetura, një përmirësim i lehtë krahasuar me vitin e kaluar kur kjo shifër ishte 194.
Sfidat për modelet luksoze dhe hibridët plug-in
Studimi tregon qartë se makinat luksoze kanë më shumë prirje për probleme krahasuar me modelet e zakonshme. Hibridët plug-in gjithashtu rezultuan më problematikë se makinat elektrike, ndërsa modelet krejtësisht të reja kanë më shumë gabime sesa paraardhësit e tyre.
Një tjetër prirje shqetësuese për shoferët ishte kontrolli i klimës me ekran me prekje, i cili konsiderohet i pakëndshëm dhe jo intuitiv. Mbajtësit e gotave ishin një tjetër burim ankese, pasi shumë modele nuk ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për madhësi të ndryshme shisheje e gotash.
Surpriza negative: Toyota dhe Mazda më poshtë se pritej
Një tjetër emër i madh që bie në sy në këtë renditje është Toyota, që këtë vit raportoi 200 probleme për 100 makina, duke u renditur nën mesataren kombëtare – një fakt befasues për një markë që zakonisht kryeson në besueshmëri.
Edhe Mazda, e njohur tradicionalisht për qëndrueshmërinë, u rendit dobët me 225 probleme, njësoj si Volkswagen.
Audi vijon traditën e fundit të renditjes
Sa i përket Audi-t, vendi i fundit nuk është ndonjë risi e madhe. Nga viti 2020 deri në 2024, kjo markë gjermane është renditur rregullisht në pjesën e poshtme të tabelave të J.D. Power, shpesh shoqëruar nga Land Rover, Chrysler, Maserati dhe Volvo.
Megjithatë, për t’i dhënë të drejtën Audi-t, kompania ka pranuar hapur problemet, sidomos në lidhje me cilësinë e brendshme. Oscar da Silva Martins, kreu i komunikimit të produktit dhe teknologjisë në Audi, deklaroi në një intervistë për Motor1: “Ne kemi qenë më të mirë në të kaluarën për sa i përket cilësisë, por do të rikthehemi aty ku ishim.“/AutoPortali



