Markat kineze dyfishojnë pjesën e tregut në Evropë, pavarësisht tarifave të BE-së
M

Markat kineze dyfishojnë pjesën e tregut në Evropë, pavarësisht tarifave të BE-së

Automjetet kineze po vazhdojnë të zgjerojnë praninë e tyre në tregun europian, duke dyfishuar pjesën e tregut dhe duke nxitur rritjen e regjistrimeve të reja, pavarësisht barrierave tregtare të vendosura nga Bashkimi Europian.

Sipas të dhënave më të fundit nga Jato Dynamics, në maj janë regjistruar 1,107,517 automjete të reja në 28 tregjet kryesore europiane, një rritje prej 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, nga 1 janari deri më 31 maj janë regjistruar mbi 5.5 milionë automjete të reja, që paraqet një rritje modeste prej 0.7%.

WardsAuto shkruan se protagonistët kryesorë të kësaj rritjeje janë pikërisht prodhuesit kinezë, të cilët gjatë majit kanë regjistruar 65,808 automjete, duke arritur një pjesë tregu prej 5.9%, nga vetëm 2.9% sa ishte një vit më parë.

“Pavarësisht tarifave të BE-së ndaj automjeteve elektrike kineze, këto marka po vazhdojnë të shënojnë rritje të fuqishme në Europë,” deklaron analisti global i Jato Dynamics, Felipe Munoz. Ai thekson se ky sukses i markave kineze lidhet me strategjinë e tyre të re, duke u fokusuar më shumë te makinat hibride dhe plug-in hibride, për të shmangur ndikimin e tarifave të reja ndaj automjeteve elektrike.

Ndërkohë, prodhuesit europianë si Volkswagen, Renault dhe BMW kanë raportuar gjithashtu rezultate pozitive për majin, me rritje përkatësisht prej 3.3%, 4.6% dhe 6.3%, transmeton AutoPortali.

Brenda grupit Volkswagen, Škoda u rendit e dyta për shitjet mujore, ndërsa Dacia (pjesë e Renault) pati rritje të konsiderueshme të volumit. Marka spanjolle Cupra, nën pronësinë e SEAT, arriti të parakalojë vetë SEAT-in në ranglistën vjetore të markave, me një rritje prej 30% në regjistrime.

Ndër markat kineze, Jaecoo shiti më shumë se Honda në maj me 7,449 njësi, ndërsa Omoda regjistroi 4,213 njësi, duke lënë pas Mitsubishi-n japonez. Leapmotor, e mbështetur nga grupi Stellantis, arriti të regjistrojë 1,723 njësi, megjithatë mbeti pas markave të tjera të Stellantis-it si DS.

Në anën tjetër, disa marka të tjera shënuan rënie të ndjeshme. Lancia pati një rënie prej 80%, ndërsa Maserati shënoi -40%. Lotus dhe Abarth pësuan ulje përkatësisht prej 48% dhe 78%, ndërsa Jaguar regjistroi vetëm 86 njësi, duke u tejkaluar edhe nga prodhuesi britanik Ineos.

Sa i përket modeleve më të shitura, Renault Clio kryesoi listën për muajin maj me një rritje prej gati 12%, ndërsa Dacia Sandero, pavarësisht një rënieje prej 10%, mbeti e dyta dhe vazhdon të kryesojë renditjen vjetore. Volkswagen Tiguan dhe Dacia Duster patën gjithashtu rezultate të mira, ndërsa Volkswagen Golf dhe T-Roc pësuan ulje përkatësisht me 18% dhe 10%./AutoPortali

TË FUNDIT