Evropa po përballet me një valë të paparë të të nxehtit, që ka sjellë pasoja të rënda për jetën, shëndetin dhe mjedisin. Dy persona kanë humbur jetën në Itali, ndërsa dhjetëra mijëra janë evakuuar në Turqi për shkak të zjarreve masive.
Në Bolonjë, një 47-vjeçar humbi jetën pasi u sëmur papritur në një kantier ndërtimi, ndërsa në perëndim të Torinos, një 70-vjeçar u mbyt nga përmbytjet e menjëhershme në një resort turistik, shkruan BBC.
Situata mbetet alarmante edhe në Turqi, ku mbi 50 mijë njerëz, kryesisht nga provinca perëndimore e Izmirit, janë larguar nga shtëpitë për shkak të qindra zjarreve që kanë përfshirë rajonin ditët e fundit. Ministri turk i Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se në vetëm tri ditë janë regjistruar 263 vatra zjarri në nivel kombëtar.
Edhe Franca po përballet me temperatura ekstreme. Për herë të parë pas pesë vjetësh, Parisi dhe 15 rajone të tjera janë vendosur në alarm të kuq për të nxehtit, ndërsa 1,350 shkolla publike do të mbyllen pjesërisht ose tërësisht. Majat e Kullës Eiffel janë mbyllur për vizitorët për shkak të kushteve ekstreme.
Spanja dhe Portugalia kanë thyer rekordet e temperaturave për muajin qershor. Në El Granado të Spanjës u regjistruan 46°C, ndërsa në Mora, Portugali, termometri shënoi 46.6°C, duke sfiduar rekordet historike, transmeton AutoPortali.
Greqia po përballet me ditë të tëra me temperatura mbi 40°C, ndërsa zjarret pranë Athinës kanë detyruar banorët e disa qyteteve bregdetare të evakuohen.
Në Gjermani, shërbimi meteorologjik paralajmëron temperatura deri në 38°C, duke ngritur shqetësime për nivelet e ulëta të lumit Rhine, që tashmë po pengon lundrimin e anijeve tregtare.
Mbretëria e Bashkuar ka shënuar njërin nga ditët më të nxehta të qershorit, me 33.1°C në Aeroportin Heathrow dhe 32.9°C në Wimbledon, dita më e nxehtë e hapjes në historinë e turneut të tenisit.
Në Itali, rajoni i Toskana-s raporton rritje 20% të shtrimeve në spital, ndërsa 21 nga 27 qytete janë futur në alarm të kuq për të nxehtit ekstrem. Në Lombardi, është ndaluar puna në ambiente të hapura në oraret mes 12:30 dhe 16:00, deri në muajin shtator.
Vala e të nxehtit po shkakton pasoja edhe për ekosistemet. Temperaturat në rritje në Detin Adriatik po favorizojnë shfaqjen e specieve invazive si peshku helmues “lionfish”, ndërsa akullnajat alpine vazhdojnë të shkrijnë me ritme alarmante.
OKB-ja paralajmëron se kjo valë e të nxehtit është një tjetër sinjal i qartë për nevojën urgjente të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, me thirrje për shkëputje nga karburantet fosile.
“Temperaturat që rriten, detet që ngriten, përmbytjet, thatësirat dhe zjarret po kërcënojnë të drejtën tonë për jetën, shëndetin dhe një mjedis të pastër dhe të qëndrueshëm,” tha Volker Turk, komisioner i lartë për të drejtat e njeriut në OKB.
Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike të OKB-së (IPCC), ngjarje të tilla ekstreme do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive ndërsa planeti vazhdon të ngrohet. /AutoPortali



