Dubai është një hap më afër së ardhmes së transportit ajror urban. Për herë të parë, në këtë metropol të teknologjisë dhe inovacionit, është realizuar një fluturim testues i taksisë së parë ajrore elektrike, duke shënuar fillimin e një epoke të re të lëvizjes së qytetarëve.
Kompania amerikane Joby Aviation kreu këtë javë fluturimin provë në një zonë të izoluar shkretinore në juglindje të qendrës së Dubait. Demonstrata u ndoq nga afër nga zyrtarë të lartë të Emirateve dhe drejtues të transportit publik, transmeton AutoPortali.
Modeli i prezantuar, një mjet fluturues elektrik me ngritje dhe ulje vertikale (eVTOL), është i dizajnuar për distanca të shkurtra dhe lëvizje të shpejta brenda qyteteve të mëdha. Ai mund të përshkojë deri në 160 kilometra me një shpejtësi maksimale prej 320 km/h, duke ofruar një alternativë të qetë, pa ndotje dhe shumë më të shpejtë krahasuar me trafikun tradicional, shkruan Reuters.
Sipas Anthony Khoury, drejtor i përgjithshëm i Joby Aviation për Emiratet, shërbimi pritet të nisë zyrtarisht në vitin 2026 dhe fillimisht do t’i drejtohet pasagjerëve me të ardhura më të larta, për shkak të kostos së lartë të teknologjisë së re. “Si çdo inovacion i ri, çmimet fillestare do të jenë më premium, por ambicia jonë afatgjatë është ta bëjmë të përballueshëm për të gjithë”, tha ai.
Një nga itineraret e para të planifikuara është linja nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait (DXB) deri në Palm Jumeirah, një udhëtim që me taksinë ajrore do të zgjasë vetëm 12 minuta, ndërsa aktualisht me makinë kërkon afërsisht 45 minuta, për shkak të trafikut të rënduar.
Ky projekt është pjesë e strategjisë së Dubait për të futur teknologji të qëndrueshme dhe inteligjente në rrjetin e saj të transportit publik. Zyrtarët lokalë shprehen të sigurt se taksitë ajrore do të reduktojnë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe ndotjen në qytet. /AutoPortal



