Çela pret ish-ministrin e Egjiptit: Shkëmbim përvojash në zhvillimin e turizmit
Ç

Çela pret ish-ministrin e Egjiptit: Shkëmbim përvojash në zhvillimin e turizmit

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela mirëpriti në një takim Khaled El-Enany, ish-ministër i Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit dhe Kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të UNESCO-s, si dhe ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Hassan Shawky.

Në këtë takim, Çela e vuri theksin te momenti i thellë transformues që Shqipëria po kalon në sektorin e turizmit.

Vitet e fundit kemi regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, një diversifikim të tregjeve dhe një vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve që ofrojmë. Nga brigjet kristal të Jonit dhe Adriatikut, tek Alpet mbresëlënëse në veri, nga qytetet muzeale si Berati dhe Gjirokastra, deri te fshatrat e zhytur në gjelbërim e traditë, Shqipëria po afirmohet si një destinacion autentik, i sigurt dhe gjithnjë e më i kërkuar në Mesdhe”, u shpreh Çela.

Çela foli mbi vizionin e qartë të qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, të ndërtuar mbi tri shtylla themelore: përmirësimin e infrastrukturës dhe digjitalizimin e sektorit, rritjen e cilësisë përmes trajnimit profesional dhe standardeve të reja dhe promovimin e turizmit gjatë gjithë vitit, për të thyer sezonin e shkurtër veror dhe për të nxitur forma të tjera të turizmit si ai kulturor, gastronomik, malor apo agroturizmi.

Zhvillimet pozitive të këtyre viteve nuk janë rastësi, por rezultat i një pune të përbashkët mes institucioneve, sipërmarrësve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për shkëmbim përvojash me vende me traditë të gjatë në këtë fushë, siç është Egjipti”, nënvizoi Çela.

El-Enany, u shpreh se “Autoriteti i Turizmit në Egjipt është i gatshëm të bashkëpunojë me AKT për të ndarë eksperiencën lidhur me dy nga projektet më efektive dhe të rëndësishme që kanë zbatuar në fushën e promovimit të turizmit”, shkruan ATSH.

Nga janari deri në maj, Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 53% në numrin e vizitorëve nga Egjipti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

TË FUNDIT