Një grevë e re e kontrollorëve të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në qarkullimin ajror të Francës, duke prekur mijëra udhëtarë, shumica prej të cilëve turistë që udhëtonin drejt apo përmes aeroportit francez. Greva, e cila nisi më 3 korrik 2025, ka detyruar linjat ajrore si Ryanair, EasyJet dhe British Airways të anulojnë ose ridrejtojnë qindra fluturime.
Sipas autoriteteve, aeroportet më të prekura janë Charles de Gaulle dhe Orly në Paris, si dhe aeroportet ndërkombëtare në Nice dhe Marseille. Udhëtarët janë paralajmëruar për vonesa të gjata, anullime të papritura dhe ndryshime në itinerare, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqen të minimizojnë ndikimin, transmeton AutoPortali.
Sindikatat franceze kanë bërë thirrje për përmirësime në kushtet e punës dhe rritje të pagave, duke paralajmëruar se grevat mund të zgjasin edhe përtej datës 5 korrik, nëse nuk arrihet marrëveshje me qeverinë, shkruan Reuters.
Kjo situatë vjen në një periudhë kulmore të sezonit turistik, kur miliona udhëtarë planifikojnë pushimet e verës në destinacione si Greqia, Spanja dhe Italia, duke kaluar tranzit përmes Francës. Turistëve u këshillohet të kontrollojnë në kohë reale informacionin mbi fluturimet dhe të marrin masa alternative udhëtimi kur është e mundur.
Grevën e fundit të kontrollorëve të trafikut ajror në Francë, sektorët turistikë dhe të transportit e kanë përshkruar si një goditje të fortë për imazhin dhe funksionimin normal të sezonit të lartë veror.



