Një incident i rëndë ka ndodhur në Romë, ku një shpërthim gazi në një stacion karburanti ka shkaktuar plagosjen e të paktën 27 personave, mes tyre oficerë policie dhe punonjës të shërbimeve të emergjencës që ndodheshin në vendin e ngjarjes për të ndërhyrë. Lajmi u konfirmua nga portali Roma Today.
Ngjarja ndodhi në zonën verilindore të kryeqytetit italian, dhe sipas dëshmitarëve, shpërthimi ka qenë aq i fortë sa është dëgjuar në një hapësirë të gjerë të qytetit.
Mes të lënduarve, një person ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Autoritetet lokale dhe mjekët janë mobilizuar për t’u dhënë ndihmën e nevojshme të prekurve.
Ngjarja ka marrë vëmendjen edhe të liderëve më të lartë të shtetit. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, dhe se po e monitoron situatën nga afër. Edhe Papa Leo ka reaguar, duke shprehur ngushëllimet dhe lutjet e tij për të prekurit nga shpërthimi.
Ndërkohë, Prokuroria e Romës ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë incident të rëndë. /AutoPortali/



