Numri i personave të vdekur nga përmbytjet e papritura që goditën shtetin e Teksasit ka arritur së paku në 78, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet intensive për vajzat e zhdukura nga Kampi Mystic, një kamp veror i besimit kristian për vajza, i cili u përmbyt nga lumi Guadalupe, transmeton AutoPortali.
Sipas zyrtarëve, 68 viktima janë regjistruar në Qarkun Kerr, që rezulton të jetë zona më e prekur, ku 28 prej tyre janë fëmijë. Në qarqe të tjera të Teksasit janë raportuar edhe 10 viktima të tjera. Shifra pritet të rritet, pasi 41 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, deklaroi Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.
Ndër të zhdukurit ndodhen edhe dhjetë vajza dhe një këshilltar nga Kampi Mystic, të cilët nuk janë parë që nga mëngjesi i së premtes, kur përmbytjet goditën me shpejtësi dhe fuqi të madhe. Mediat amerikane raportuan se familjet e katër prej vajzave të zhdukura kanë konfirmuar vdekjen e tyre.
Në momentin e përmbytjes, në kamp ishin rreth 750 vajza. Uji i lumit Guadalupe u rrit mbi 26 metra brenda vetëm 45 minutash, duke shkatërruar ndërtesa, ura dhe automjete. Përmbytja goditi drejtpërdrejt kampin, ndërsa rruga hyrëse u dëmtua rëndë, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e shpejtë të ekipit të shpëtimit.
Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendje emergjente në Qarkun Kerr të dielën dhe premtoi ndihmë federale të menjëhershme. “Kjo do të sigurojë që ekipet tona të shpëtimit të kenë të gjitha mjetet e nevojshme,” shkroi ai në rrjetet sociale, njofton albinfo.ch.
Ekipet e emergjencës po punojnë pa pushim për të gjetur të mbijetuarit. Nim Kidd, drejtori i Menaxhimit të Emergjencave në Teksas, tha se kërkimet zhvillohen në mënyrë intensive në zonën përgjatë lumit Guadalupe, duke përdorur mjete ajrore, tokësore dhe ujore. “Do të vazhdojmë derisa të gjejmë të gjithë personat e zhdukur,” shtoi ai.
Ndër viktimat e konfirmuara është edhe Dick Eastland, pronari dhe drejtori i Kampit Mystic, si dhe drejtori i një kampi tjetër në afërsi. Familjarët e vajzave të zhdukura po përdorin rrjetet sociale për të shpërndarë fotografi dhe informacione në shpresë për lajme të reja.
Përmbytja nisi pak para agimit të së premtes, në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Shërbimi Kombëtar i Motit raportoi mbi 30 centimetra shi brenda pak orësh në disa zona, një sasi që zakonisht bie gjatë gjysmës së vitit. Uji u përhap me shpejtësi shkatërruese.
Zyrtarët kanë pranuar se sistemi aktual i paralajmërimeve nuk ishte në gjendje të parashikonte intensitetin e përmbytjes. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se administrata Trump po punon për të përmirësuar sistemin e paralajmërimeve, pavarësisht sfidave të buxhetit dhe mungesës së stafit në agjencitë federale, raporton DW.
Kongresmeni republikan Chip Roy përshkroi ngjarjen si një katastrofë “që ndodh një herë në një shekull” dhe pranoi se do të ketë kritika për mungesën e infrastrukturës paralajmëruese. Autoritetet lokale kishin konsideruar krijimin e një sistemi alarmi të ngjashëm me atë për tornado, por kostoja e lartë e kishte ndalur projektin. /AutoPortali/



