Me rritjen e pakontrolluar të turizmit masiv, vendet më të frekuentuara në Evropë nuk po analizojnë më vetëm numrat, por edhe sjelljen. Daily Telegraph intervistoi banorë dhe profesionistë të turizmit në Francë, Spanjë, Greqi dhe Itali për të hartuar një “hartë” të popullaritetit sipas kombësisë. Nga Parisi në Santorini, vendasit kanë mendimet e tyre për çdo kombësi që u kalon përpara syve me selfie-stick në dorë.
Francezët ankohen, por të paktën dinë ta bëjnë me stil
Francezët i sheh gjithmonë duke bërë një koment. Në Kretë, një hotelier grek e përshkroi me një buzëqeshje të përmbajtur: “Ankohen për gjithçka. Por të paktën përshëndesin dhe nuk janë të ftohtë si gjermanët.” Sjellja e tyre mund të irritojë, por njëkohësisht shihet si pjesë e identitetit të tyre kulturor. Një gotë verë dhe një pjatë mirë e servuar zakonisht e zbusin çdo tension.
Britanikët të sjellshëm ditën, të zhurmshëm natën
Në Francë i përshkruajnë si të edukuar, në Spanjë i shohin si bombë me sahat, sidomos kur bëhet fjalë për beqaritë dhe netët me alkool të lirë. Adhurojnë historinë, artin dhe Koloseun, por ndonjëherë edhe e vandalizojnë atë. Britanikët mbeten një kontrast: qytetarë shembullorë në muze dhe krejt ndryshe pas darkës.
Kinezët me para në xhep, por me mungesë limiti
Janë turistët më shpenzues në botë, por edhe më të komentuarit. Në Santorini bllokojnë rrugicat për një selfie; në Romë, ngjiten mbi monumente historike pa u menduar. Janë një motor ekonomik për shumë biznese, por shpeshtësia e sjelljeve të papërshtatshme i bën të vështirë për t’u menaxhuar.
Gjermanët korrektësia me kufi
Të sjellshëm, të saktë dhe gjithmonë në kohë. Francezët i pëlqejnë, por në Greqi dhe Spanjë ka rezerva: nuk mësojnë gjuhën vendase dhe festojnë shpesh si britanikët. Një hotelier në Ishujt Balearik ishte i qartë: “Na duhen, por nuk është se gëzohemi gjithmonë kur i shohim.”
Italianët me shumë kafe dhe shumë gjeste
Në Greqi i quajnë “grekë me amfetamina”. Ekspresivë, plot pasion dhe kurrë të mërzitshëm. Në Spanjë konsiderohen si kushërinj kulturorë. Nuk janë pa gabime, por rrallëherë bezdisin. Thjesht e dinë si të lënë përshtypje.
Amerikanët me entuziazëm dhe bakshishe në xhep
Në Dordogne, një udhërrëfyese tha: “Edhe pas dy orësh, duan më shumë informacion.” Janë të lumtur, të etur për dije dhe gjithmonë lënë një bakshish. Por shpesh vijnë me kërkesa si për hotele 5 yje në Vegas edhe në fshatra ku wi-fi është luks.
Zvicëranët të qetë, të pasur, por ndonjëherë të ftohtë
Edhe pse nuk ishin në fokusin e Daily Telegraph, ata nuk mund të anashkalohen: shpenzojnë miliarda jashtë vendit, udhëtojnë të organizuar dhe rrallë krijojnë zhurmë. Por nuk janë pa mëkate: një 17-vjeçare u arrestua në Romë pasi gdhendi inicialet në murin e Koloseut.
Stereotipet nuk janë gjithmonë të sakta, por janë të qëndrueshme
Ekspertët janë të qartë: perceptimet ndaj turistëve varen nga vendi, zona dhe ndonjëherë edhe sezoni. Në qytete si Venecia apo Barcelona, lodhja nga turizmi masiv e bën mikpritjen më të ngurtë. Por në rajone më pak të vizituara, të njëjtët turistë mund të jenë të mirëpritur.
Mes gjithë këtij zhurme, një gjë mbetet konstante: ata që sillen me respekt, mësojnë disa fjalë të gjuhës vendase dhe tregohen të vetëdijshëm për kulturën ku hyjnë, janë gjithmonë të mirëpritur – pa dallim pasaporte. /AutoPortali



