LEVC, kompania britanike e njohur për prodhimin e taksive të zeza elektrike në Londër, ka bërë të ditur se do të shkurtojë 180 vende pune në fabrikën e saj në Coventry, si pjesë e një strategjie më të gjerë për uljen e kostove përballë sfidave të mëdha në tregun automobilistik.
Në pronësi të gjigantit kinez Geely, LEVC ka prodhuar modelin e famshëm TX me zgjerim të gamës që nga viti 2018 në uzinën e saj në Ansty, duke furnizuar tregje globale – përfshirë rreth 9000 njësi për Londrën, që përbëjnë afërsisht 60% të flotës së taksive në kryeqytet, transmeton AutoPortali.
Megjithatë, kompania thotë se kushtet e pafavorshme ekonomike, si rritja e kostove operative për shoferët, kanë çuar në një rënie të qëndrueshme të numrit të taksistëve – një trend që nuk kufizohet vetëm në Londër, por që është përhapur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Autocar.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë vendim është zbutja e politikave lokale të emetimeve, që ka lejuar vazhdimin e përdorimit të taksive më të vjetra, duke zbehur kërkesën për modelin elektrik TX të LEVC. Kompania përmend gjithashtu ndryshimet në licencimin e automjeteve dhe problemet me qiratë ndërkufitare si arsye shtesë për tkurrjen e tregut.
Fabrika në Ansty aktualisht operon nën kapacitetin e saj vjetor prej 20,000 njësi, ndërsa prodhimi i furgonit VN5, i ndërtuar mbi bazën e TX, është pezulluar përkohësisht, megjithëse kompania pohon se ka stok të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën dhe se nuk do të ketë ndikim në klientët, shërbimin apo mbështetjen e shitjeve.
Ky është shkurtimi i dytë i rëndësishëm i vendeve të punës në kompani pas atij të vitit 2022, kur LEVC largoi 140 punonjës si pjesë e një fushate të ngjashme për ulje kostosh.
Në një deklaratë, kompania tha se po angazhohet me autoritetet qendrore dhe lokale për të gjetur mënyra për të forcuar dhe mbështetur industrinë e taksive, dhe se shkurtimet aktuale janë pjesë e një plani për rritje të efikasitetit dhe përgatitje për investime të reja në teknologji dhe produkte të gjeneratës së ardhshme.
Ndërkohë, zhvillimi i modelit TX të gjeneratës së dytë vazhdon, ndërsa mbetet e paqartë nëse ristrukturimi do të ndikojë në planet për importimin e MPV-së L380, automjeti i parë i pasagjerëve i LEVC, i prodhuar në Kinë.
Këto lëvizje tregojnë sfidat me të cilat po përballet industria britanike e automjeteve elektrike në një periudhë ndryshimesh të shpejta politike, ekonomike dhe teknologjike.



