Shpejtësia, jo klima, po ul distancën e veturave elektrike
S

Shpejtësia, jo klima, po ul distancën e veturave elektrike

Nëse po planifikoni një udhëtim veror me makinë elektrike, ndoshta duhet të shikoni më shumë shpejtësinë sesa klimën. Një studim i ri ka zbuluar se mënyra e ngasjes konkretisht, shpejtësia ndikon më shumë në rënien e autonomisë së automjeteve elektrike sesa vetë nxehtësia verore.

Sipas AutoBlog, analiza është kryer nga kompania Geotab dhe është bazuar në të dhëna të telematikës të mbledhura nga mbi 3 milionë udhëtime të realizuara nga vetura elektrike të llojit sedan, furgonë të lehtë dhe makina për transport mallrash.

Konkluzioni ishte i qartë: rezistenca ajrore në shpejtësi të lartë ka ndikim më të madh në rënien e baterisë sesa përdorimi i kondicionerit në verë, transmeton AutoPortali.

Për shembull, një furgon elektrik me bateri 65 kWh që udhëton me 50 milje në orë (rreth 80 km/h) në temperatura prej 30°C, ka një autonomi prej 230 kilometrash. Por nëse rrit shpejtësinë në 60 mph (96 km/h), autonomia bie në 195 km. Në 70 mph (112 km/h), bie në 165 km, dhe në 80 mph (128 km/h), zbret në vetëm 142 km – një rënie prej 39% nga 50 në 80 mph. Edhe veturat sedan, që janë më aerodinamike, pësojnë një rënie të ngjashme: nga 445 km në 50 mph në 322 km në 80 mph – një ulje prej 28%.

“Sikur të ngasësh vetëm 10 apo 15 milje më ngadalë, mund ta zgjatësh distancën e udhëtimit deri në 30%, varësisht nga makina,” tha Charlotte Argue, menaxhere për qëndrueshmëri në Geotab.

Sigurisht, temperatura dhe përdorimi i klimës mbesin faktorë të rëndësishëm. Testime nga Shoqata e Inxhinierëve të Automobilave (SAE) në vitin 2019 treguan se automjetet elektrike humbin mesatarisht 17% të autonomisë kur temperaturat rriten nga 24°C në 35°C. Por ky efekt është më i theksuar kur ngasja bëhet me shpejtësi të ulët, ku rezistenca ajrore është më e vogël.

Për të optimizuar performancën e baterisë në verë, Geotab rekomandon:

  • Ngitje me shpejtësi më të ulët
  • Ftohje të kabinës derisa makina është ende e lidhur në rrymë
  • Përdorim efikas të klimës me modalitetin e recirkulimit dhe ventilim të ulëseve
  •  Parkim në hije dhe shmangie të karikimit të shpejtë gjatë temperaturave ekstreme

Makina elektrike me aerodinamikën më të lartë

Modeli Lucid Air Grand Touring, me koeficient tërheqjeje prej vetëm 0.197, ofron autonominë më të gjatë në treg për vitin 2025 – plot 824 kilometra. Chevrolet Silverado EV WT për vitin 2026 ka autonomi deri në 793 km, ndërsa SUV-i Lucid Gravity Grand Touring ofron deri në 724 km dhe një koeficient tërheqjeje prej 0.24.

Konkluzioni

Ankthi për distancën mbetet real për shumë drejtues të veturave elektrike. Por me edukim dhe zakone të drejta ngasjeje, veçanërisht në verë, mund të shmanget stresi i stacioneve të karikimit. Ngasja më e ngadaltë në verë mund të duket si pengesë, por do t’ju kursejë ndalesa të panevojshme – dhe më e rëndësishmja, ju çon më larg. /AutoPortali

TË FUNDIT