Një veturë që ishte vjedhur disa ditë më parë në Pejë është gjetur të hënën në Prishtinë, e braktisur në rrugën “Flaka e Janarit” në kryeqytet.
Policia ka njoftuar se pas një pune operative ndërmjet njësiteve të Pejës dhe Prishtinës, automjeti është lokalizuar dhe i është kthyer pronarit, transmeton AutoPortali.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Pejës, më 5 korrik 2025, një qytetar ka raportuar vjedhjen e veturës së tij të tipit Audi, e cila ndodhej në bodrumin e banesës së tij në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.
Së bashku me veturën, janë vjedhur edhe dy laptopë, tre mullinj kafeje dhe një mjet shpues.
Pas hetimeve disa-ditore dhe veprimeve operative në terren, hetuesit nga Stacioni Policor i Pejës në bashkëpunim me Policinë e Prishtinës arritën të lokalizojnë automjetin më 14 korrik.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, vetura është kthyer pronarit legjitim. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë rast“, thuhet në njoftimin e Policisë së Pejës. /AutoPortali



