Kompania japoneze Nissan ka konfirmuar se do të mbyllë fabrikën Oppama, një nga objektet më emblematiqe të prodhimit të saj, duke e quajtur vendimin “të vështirë, por të domosdoshëm”. Mbyllja do të realizohet deri në fund të vitit fiskal 2027 të Japonisë, që përfundon në mars 2028.
Sipas Motor1, ky hap vjen si pjesë e planit të rimëkëmbjes “Re:Nissan”, i publikuar disa muaj më parë, i cili synon të reduktojë numrin e fabrikave globale nga 17 në vetëm 10. Ivan Espinosa, CEO i ri i kompanisë, tha se kjo ishte një zgjedhje e dhimbshme si për të ashtu edhe për vetë kompaninë, duke pasur parasysh historinë e gjatë të këtij impianti.
Fabrikë ikonike që mbyll ciklin pas 64 vitesh
Fabrika Oppama, e ndodhur në rajonin me të njëjtin emër, ka qenë funksionale që nga viti 1961 dhe ka prodhuar më shumë se 17.8 milionë automjete në 64 vite funksionim. Aktualisht aty prodhohen modelet Note dhe Note Aura, ndërsa më parë janë montuar edhe Leaf, Cube, March (Micra) dhe modeli klasik Datsun Bluebird.
Me mbylljen e saj, linjat e prodhimit për modelet ekzistuese dhe të ardhshme do të zhvendosen në fabrikën Kyushu, gjithashtu në Japoni.
Rreth 2,400 punonjës preken nga mbyllja
Nga ky vendim do të preken rreth 2,400 punonjës, të cilët përbëjnë një pjesë të strategjisë më të gjerë të Nissan për të ulur forcën punëtore globale me 20,000 punonjës deri në fund të vitit fiskal 2027. Shkurtimet nuk do të kufizohen vetëm në sektorin e prodhimit; ato do të shtrihen edhe në shpenzimet e shitjes, administratës dhe përgjithshme (SG&A).
Gjithashtu, kompania ka njoftuar se do të shkurtoshë numrin e platformave të automjeteve nga 13 në 7 dhe do të ulë kompleksitetin e pjesëve me 70%, si pjesë e synimit për të reduktuar kapacitetin global të prodhimit nga 3.5 milionë në 2.5 milionë njësi në vit.
Kursime ekstreme – edhe zyrat qendrore mund të shiten
Niveli i masave drastike të ndërmarra nga Nissan është reflektuar edhe në vendime të tjera: disa projekte për modele të reja janë pezulluar, ndërsa një ekip i posaçëm me 3,000 persona është angazhuar vetëm për uljen e kostove.
Sipas raportimeve, Nissan po shqyrton edhe shitjen e selisë qendrore në Yokohama, për ta marrë më pas me qira nga pronari i ri – një tjetër masë për të liruar kapital.
Fabrika mbyllet, por qendra kërkimore mbetet
E rëndësishme të theksohet se mbyllja përfshin vetëm fabrikën e prodhimit. Strukturat e tjera të zonës nuk do të preken – përfshirë qendrën kërkimore, laboratorët e testimeve të përplasjes, pistën e provave dhe portin që përballon deri në 20,000 automjete.
Për sa i përket të ardhmes së vetë zonës së Oppama-s, Nissan ka deklaruar se është duke vlerësuar një gamë të gjerë opsionesh për përdorimin e saj të ardhshëm. /AutoPortali



