Honda në udhëkryq: Elektrike apo hibride?
H

Honda në udhëkryq: Elektrike apo hibride?

Edhe pse nuk është prioritet i lartë për kompaninë, një Civic Type R me motor elektrik mund të bëhet realitet në të ardhmen – nëse tregu e kërkon.

E ardhmja e automjeteve elektrike, veçanërisht në SHBA, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Ulja e mbështetjes shtetërore, përfshirë subvencionet dhe kreditë tatimore federale, ka detyruar shumë kompani të rishikojnë strategjitë e tyre, përfshirë edhe Hondën.

Sipas raportimeve të fundit, gjiganti japonez po zhvendos burime nga prodhimi i makinave elektrike drejt teknologjive hibride, në përpjekje për të ndjekur ndryshimet e shpejta në kërkesën e tregut. Megjithatë, mundësia për një Civic Type R tërësisht elektrike nuk është përjashtuar krejtësisht.

Duke folur për Auto Express shkruan Motor1, udhëheqësi i projektit të Honda Prelude, Tomoyuki Yamagami, la të hapur mundësinë për një Type R elektrike në të ardhmen. Ai theksoi se emblema Type R mund të përfaqësojë çdo gjë që “tregu kërkon”, duke shtuar se nuk është e lidhur domosdoshmërisht me një motor turbo.

Sipas tij, Type R nuk është vetëm për fuqinë, por për maksimizimin e potencialit dinamik të makinës – pavarësisht llojit të motorit. E megjithatë, një Civic Type R me bateri nuk pritet të vijë së shpejti, transmeton AutoPortali.

Më herët këtë vit, Toshihiro Akiwa – drejtuesi i Qendrës së Zhvillimit për Mjetet Elektrike të Honda-s – vuri në pikëpyetje nëse një Type R elektrike mund të ruajë kënaqësinë e vozitjes që kjo emër mbart. Akiwa pranoi se dinamika e drejtimit ndryshon ndjeshëm me sistemin elektrik, dhe se është një sfidë për inxhinierët, por theksoi se Honda nuk ka hequr dorë nga ideja.

Sidoqoftë, nëse konsumatorët nuk duan makina elektrike, atëherë as Honda nuk ka arsye t’i prodhojë. Thuhet se kompania tashmë ka anuluar zhvillimin e një SUV-i të madh elektrik – një segment që vazhdon të jetë i preferuar në SHBA. Nëse nuk ia vlen ekonomikisht, është e vështirë të besosh se Honda do të investojë miliona për një hatchback sportiv me prodhim të kufizuar.

Sfidat nuk ndalen me kërkesën e ulët për EV. Politikat tregtare të ish-presidentit Donald Trump, përfshirë tarifat për importet nga Japonia, po e bëjnë edhe më të pasigurt të ardhmen financiare të Honda-s në Amerikë. Një raport i fundit sugjeron se kompania është në bisedime për të lejuar Nissan-in të prodhojë kamionë me markën Honda në fabrikën e vet në Mississippi – një hap i pazakontë, por që tregon presionin me të cilin përballet prodhuesi japonez. /AutoPortali

TË FUNDIT