Planet për të aplikuar një tarifë prej 300 bahtësh (rreth 7.50 euro) për turistët që hyjnë në Tajlandë janë shtyrë edhe një herë. Kësaj here deri në mesin e vitit 2026. Arsyeja? Numri i vizitorëve po ngec dhe ekonomia është në rënie.
Ministria e Turizmit dhe Sporteve konfirmoi këtë javë se vendimi për shtyrjen vjen për shkak të një rënieje të dukshme të kërkesës dhe pasigurive ekonomike që po godasin vendin dhe rajonin. Tarifa, e njohur ndryshe si “kha yeap pan din” apo “shkelja në tokën tajlandeze”, ishte miratuar parimisht nga qeveria në shkurt të vitit 2023 dhe ishte planifikuar të hynte në fuqi në vitin 2025.
Sipas planit fillestar shkruan EuroNews, tarifa do të aplikohej për të gjithë vizitorët e huaj që hyjnë përmes fluturimeve ndërkombëtare, ndërsa ata që hyjnë nëpërmjet tokës ose detit do të paguanin gjysmën, përkatësisht 150 bahtë (rreth 3.75 euro). Të hyrat nga kjo tarifë do të përdoreshin për sigurim shëndetësor për turistët dhe për përmirësimin e infrastrukturës turistike në vend.
Turizmi në rënie, ekonomia në ngërç
Shtyrja nuk është rastësi. Deri në fillim të korrikut 2025, Tajlanda kishte pritur rreth 17 milionë turistë, një rënie prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për një industri që përbën rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, këto shifra janë alarmante, transmeton AutoPortali.
Sipas analistëve, një pjesë e rënies lidhet me problemet ekonomike në tregjet kyçe si Kina, ku konsumatorët po përballen me më pak të ardhura për pushime jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, forca e monedhës vendase (bahtit) dhe çmimet në rritje të biletave ajrore po e bëjnë Tajlandën një destinacion më të shtrenjtë për turistët e zakonshëm.
Një tjetër faktor i mundshëm: tarifat doganore që SHBA mund t’i vendosë Tajlandës, çka mund të ndikojë jo vetëm në eksportet, por edhe në fuqinë blerëse të shtetasve që udhëtojnë drejt saj.
Sistemet digjitale po përparojnë, pavarësisht tarifës
Pavarësisht shtyrjes së tarifës, autoritetet tajlandeze po vazhdojnë me reformat në sektorin e turizmit. Këtë vit, është lansuar një sistem i ri digjital për regjistrimin e turistëve para mbërritjes, duke zëvendësuar formularët e lodhshëm në letër. Qeveria beson se ky sistem do të përmirësojë mbledhjen e të dhënave, do të lehtësojë kontrollin kufitar dhe do të krijojë një përvojë më të qetë për vizitorët.
Edhe pse burokracia nuk ka qenë kurrë aset i fortë i vendit, Tajlanda vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara në botë, me një përzierje të natyrës mahnitëse, mikpritjes së njohur dhe luksit të përballueshëm.
Qyteti i Çiang Mai ofron qetësinë e maleve dhe shumëllojshmëri kulturore të pakrahasueshme, ndërsa ishuj si Koh Samui dhe Phuket tërheqin turistë nga e gjithë bota me plazhet e tyre të bardha. Në kryeqytet, Bangkok, jeta e natës legjendare dhe kombinimi i ushqimit rrugor me restorante të klasit Michelin vazhdon të tërheqë si nomadët digjitalë, ashtu edhe udhëtarët e luksit.
Turizmi i mirëqenies gjithashtu po rritet me ritme të shpejta, falë resorteve ekologjike, qendrave të jogës dhe spa-ve moderne. Seriali “The White Lotus”, i cili së fundmi u xhirua aty, vetëm sa e ka shtuar jehonën e vendit në sytë e udhëtarëve globalë.
Pavarësisht nëse tarifa aplikohet apo jo, Tajlanda po mbështetet në fuqinë e saj të butë – mikpritjen, natyrën dhe eksperiencën unike – për t’i mbajtur turistët të kthyer gjithmonë. /AutoPortali



