Revista prestigjioze amerikane Forbes i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë, duke e cilësuar si “sekretin më të mirë të ruajtur të Mesdheut” dhe destinacionin që duhet vizituar tani – përpara se të pushtohet nga turma.
Mes plazheve të virgjëra, mungesës së resorteve luksoze dhe çmimeve të përballueshme, Shqipëria po kthehet në alternativën e re ndaj destinacioneve të njohura si Capri, Mykonos, Ibiza apo Saint-Tropez, transmeton AutoPortali.
Për dekada, turizmi mesdhetar ka qenë sinonim i luksit të shfrenuar dhe çmimeve të kripura. Por sipas Forbes, “udhëtarët e vërtetë” – ata që dinë çfarë kërkojnë dhe nuk ndjekin turmat – po zbulojnë një bregdet që deri dje ka qenë jashtë radarit: Rivierën Shqiptare.
E shtrirë përgjatë detit Jon, midis Greqisë dhe Malit të Zi, kjo pjesë e jugut të Shqipërisë për vite me radhë ka qenë e anashkaluar nga turizmi ndërkombëtar. E ndikuar nga e kaluara e izoluar dhe mungesa e infrastrukturës moderne, Shqipëria ka mbetur si një vend ende i paprekur nga komercializmi. Dhe pikërisht kjo është forca e saj.
Një Mesdhe si dikur – por ende real
Në thelb të reportazhit të Forbes është kontrasti: plazhe që nuk dallojnë nga ato të Greqisë apo Italisë, por pa shezlongë 80-euroshe, pa resorte shumëkatëshe, pa klube buzë detit me çmime marramendëse. Në Palasë, për shembull, Green Coast Hotel ofron luks të përmbajtur dhe yoga buzë detit, ndërsa më në jug Dhërmiu ruan atmosferën e lirë të pushimeve tradicionale – dhoma të thjeshta, peshk i freskët dhe birrë e ftohtë.
Për të rinjtë, Jala ofron jetë nate dhe muzikë live gjatë verës. Për ata që kërkojnë qetësi absolute, plazhi i Gjipesë është një perlë e izoluar – pa rrugë, pa hotele, pa ndërtime. Thjesht natyrë, qetësi dhe ujë kristal.
Çfarë e bën Shqipërinë ndryshe? Pikërisht ajo që mungon. Nuk ka turma që shtyhen nëpër rrënoja historike. Rrugët janë ende të paplanuara mirë, autobusët vonojnë dhe ndonjëherë planet thjesht nuk funksionojnë. Por ka bujari, ushqim të bollshëm dhe njerëz që të ftojnë në shtëpi për të provuar rakinë e tyre.
Por ndryshimi po vjen.
Aeroporti i ri ndërkombëtar në Vlorë pritet të hapet së shpejti, dhe rrjedhimisht, vala e parë e turistëve të organizuar nuk është larg. Klubet e plazhit kanë nisur të ndërtohen dhe zinxhirët ndërkombëtarë të hoteleve kanë filluar të studiojnë terrenin. Shqipëria ndoshta nuk do të mbetet për shumë gjatë kjo që është sot.
Prandaj, siç shkruan Forbes, nëse kërkoni një copëz të Mesdheut që ende duket si zbulim – me qytete osmane, male të egra dhe një bregdet të virgjër – koha për të vizituar Shqipërinë është tani. Sepse nesër, ajo mund të mos jetë më sekreti i heshtur që është sot. /AutoPortali



