Nëse keni udhëtuar kohët e fundit nëpër rrugët e qyteteve amerikane, ka shumë mundësi të keni parë një pamje të pazakontë. Dritat e bardha të rrugëve që papritur shkëlqejnë në një ngjyrë të fortë blu-vjollcë. Ky fenomen, që ka krijuar teori të shumta në rrjetet sociale nga eksperimentet e qeverisë e deri te ndriçimi “artistik” – ka një shpjegim shumë më ndryshe, një defekt teknik në prodhimin e LED-eve rrugore.
Kompani të ndryshme që furnizojnë me ndriçim rrugor qytetet amerikane, veçanërisht ato që përdorin pajisje nga Acuity Brands dhe American Electric Lighting, kanë konfirmuar se problemi vjen nga degradimi i një shtrese të veçantë fosfori që ndihmon në krijimin e dritës së bardhë. Kur kjo shtresë dëmtohet për shkak të nxehtësisë, plakjes ose gabimeve në prodhim, ajo nuk arrin më të filrojë siç duhet dritën blu të brendshme të LED-it. Si rezultat, dritat bëhen vjollcë, transmeton AutoPortali.
Ky fenomen është vërejtur në disa shtete si Florida, Utah, Nevada dhe Kansas, ku autoritetet lokale tashmë kanë nisur procesin e zëvendësimit të llambave defekt. Në shumë raste, zëvendësimi kryhet falas, pasi produktet janë ende në garanci.
Megjithëse dritat vjollcë nuk përbëjnë rrezik për shëndetin, ekspertët paralajmërojnë se ato mund të ndikojnë në sigurinë rrugore, duke e bërë më të vështirë dallimin e ngjyrave dhe kontureve gjatë natës.
Për banorët, ndërkohë, efekti vizual është i pazakontë, ndoshta edhe pak magjepsës.



