Si të qëndroni të sigurt gjatë vozitjes në kushte ekstreme të kohës
S

Si të qëndroni të sigurt gjatë vozitjes në kushte ekstreme të kohës

Vozitja në kushte të vështira atmosferike kërkon vëmendje të plotë dhe vendime të menjëhershme që mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes.

Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se stuhitë e forta, tornadot dhe breshëri janë ndër rreziqet më serioze për drejtuesit e automjeteve – jo vetëm për shkak të pamjes së kufizuar apo rrugëve të rrëshqitshme, por edhe për shkak të sjelljes së paparashikueshme të këtyre fenomeneve.

Ndaj, nëse po udhëtoni dhe moti përkeqësohet, reduktimi i shpejtësisë, eliminimi i shpërqendrimeve (si muzika apo telefoni) dhe ndjekja e protokolleve të sigurisë janë vendimtare. Por ndonjëherë, vendimi më i mirë është të mos dalësh fare në rrugë, deri sa moti të qetësohet.

Vozitja kur afrohet një tornado

Shumëkush mendon për tornadon si një kolonë ajri që rrotullohet me shpejtësi të lartë – dhe ndalet me kaq. Por realiteti është shumë më i rrezikshëm: tornadot ndryshojnë drejtim papritur dhe mbartin me vete mbeturina, pjesë të objekteve të shkatërruara dhe gjithçka që gjejnë përpara. Këto fragmente mund të përplasen në automjetin tuaj me shpejtësi vdekjeprurëse.

Nëse jeni në rrugë dhe një tornado po i afrohet zonës ku ndodheni, synimi kryesor duhet të jetë të gjeni një strehë të brendshme sa më shpejt. Idealja është të futeni në një ndërtesë të qëndrueshme dhe të zbrisni në bodrum ose në një dhomë të brendshme pa dritare.

Nëse nuk keni mundësi të strehoheni:

Siç shkruan Travelers, duhet të largoheni nga rruga sa më shpejt. Jo thjesht parkoni anash, por nëse është e mundur, dilni krejtësisht nga rruga dhe ndaloni në një vend të hapur, transmeton AutoPortali.

Mos u ndaloni nën ura apo në tunel. Këto struktura mund të përforcojnë qarkullimin e erës dhe të rrisin rrezikun – në vend që të ofrojnë mbrojtje, ato mund të veprojnë si një tunel ajri vdekjeprurës.

Qëndroni ulët. Nëse jeni në makinë dhe nuk ka mënyrë tjetër, lidheni rripin, ulni kokën nën nivelin e xhamit dhe mbulojeni me duar apo një batanije, nëse e keni. Nëse gjeni një vend më të ulët se rruga (si një kanal ose hendek), mund të dilni dhe të shtriheni aty, duke mbuluar kokën me duar.

Vozitja gjatë një stuhie breshëri

Edhe pse zakonisht zgjat vetëm pesë minuta, një stuhi breshëri mund të shkaktojë dëme të mëdha në automjet dhe lëndime serioze tek pasagjerët. Rënia e gurëve të breshërit në shpejtësi të lartë mund të thyjë xhama dhe të përplaset me trupin e makinës me forcë të rrezikshme.

Si të veproni:

Dilni nga rruga sa më shpejt. Ashtu si në rastin e tornados, është më mirë të ndaloni në një vend të sigurt jashtë rrugës se sa të vazhdoni ngadalë në kushte të pasigurta.

Qëndroni brenda makinës. Mos dilni në rrugë – breshëri mund të lëndojë rëndë kokën apo trupin. Mbyllni dritaret dhe prisni që stuhia të përfundojë. Automjeti ofron më shumë mbrojtje se sa hapësira e jashtme.

Përfundim: Moti i ashpër nuk fal

Në situata me rreziqe ekstreme atmosferike, si tornadot apo breshëri, zgjedhjet që bëni për disa sekonda mund të shpëtojnë jetë. Vendosni sigurinë mbi nxitimin. Nëse moti po përkeqësohet, mos rrezikoni duke “provuar” të kaloni stuhinë me makinë. Fikni zhurmat,  përqendrohuni dhe veproni me mend – ose thjesht, mos dilni fare në rrugë. /AutoPortali

TË FUNDIT