Të paktën 27 persona kanë mbetur të lënduar, disa prej tyre rëndë, pasi një autobus i transportit publik humbi kontrollin dhe u përplas me disa automjete dhe një kalim për këmbësorë në lagjen Keçiören, në veri të kryeqytetit turk, Ankara. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.
Sipas transmetuesit publik TRT, aksidenti ndodhi në rrugën Etlik, kur shoferi i autobusit që mbulonte linjën Ovacık–Kızılay–Ministritë, fillimisht goditi dy automjete përpara, përpara se të përplasej me shtyllat mbajtëse të një pasarele për këmbësorë pranë Spitalit Gülhane të Ankarasë.
Sipas Hispanatolia, shërbimet emergjente, ambulanca, policia dhe zjarrfikësit, u nisën menjëherë në vendin e ngjarjes pas sinjalizimeve nga dëshmitarët okularë. Fillimisht u raportua për 24 të lënduar, por numri u rrit më vonë në 27, përfshirë edhe shoferin e autobusit, i cili mbeti i bllokuar në kabinë dhe u nxor pas 15 minutash nga zjarrfikësit.
Gjendja e tij është e rëndë, por sipas autoriteteve nuk i rrezikohet jeta, njëjtë si edhe të plagosurit e tjerë që ndodhen nën trajtim në spitalet lokale dhe po shërohen, transmeton AutoPortali.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që edhe Prokuroria e Përgjithshme e Ankarasë ka hapur procedurë për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
Komuna Metropolitane e Ankarasë njoftoi se aksidenti ndodhi kur shoferi “humbi kontrollin mbi timonin” pranë stacionit të Spitalit Zübeyde Hanım. Sipas hetimeve paraprake, autobusi po udhëtonte me 44 kilometra në orë në momentin e përplasjes.
Emine Asa, një nga pasagjeret që shpëtoi pa lëndime, tha për agjencitë se “papritur u dëgjua një zhurmë e madhe dhe shumica e njerëzve ranë në tokë”. Një dëshmitar tjetër, Kalender Dereli, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes pasi të lënduarit ishin evakuuar, tregoi se autobusi kishte goditur veturën që drejtonte vëllai i tij. “Kur arrita aty, pashë 15 apo 20 persona të shtrirë në tokë, të plagosur”, tha ai. /AutoPortali



