Ford Bronco në SHBA ka dy opsione motorësh: një katërcilindër me 300 kuaj-fuqi dhe një V6 me dy turbina që arrin 418 kuaj-fuqi në versionin sportiv Raptor.Bronco Sport më i vogël ka motorë tre ose katër cilindrash. Por në Kinë, një treg i mbushur me automjete elektrike, Bronco dhe Bronco Sport kanë një vëlla të ri – një Bronco elektrik.
Sipas Motor1, bëhet fjalë për Ford Bronco New Energy, që vjen me dy lloje energjie: 100% elektrik dhe një version me gamë të zgjatur (plug-in hybrid).
Ky SUV me bateri, i zbuluar dje në faqen zyrtare të Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës, është në thelb një Bronco më i madh, me teknologjinë e baterive BYD.
Me gjerësi 196 cm dhe gjatësi 500 cm, me distancë boshti 295 cm, Bronco EV është masiv krahasuar me modelet me motor me djegie të brendshme. Bronco Sport është më i vogël, vetëm 189 cm i gjerë dhe 439 cm i gjatë. Bronco standard ka distancën e boshtit të njëjtë, por është më i ngushtë dhe më i shkurtër. Në fakt, Bronco EV është sa një Kia EV9 me tre rreshta ulëse.
Bronco elektrik është edhe i rëndë: versioni plug-in peshon 2,510 kg, ndërsa 100% elektrik rreth 2,630 kg. Bronco Sport më i lehtë është vetëm 1,590 kg, ndërsa Raptori më i rëndë arrin 2,245 kg, transmeton AutoPortali.

Versioni standard elektrik prodhon 271 kuaj-fuqi nga një bateri 105.4 kWh dhe ka një autonomi prej 650 km sipas ciklit kinez CLTC. Versioni plug-in me motor 1.5 litër prodhon 241 kuaj-fuqi dhe ka bateri 43.7 kWh që garanton 220 km autonomi elektrike.
Dizajni është një kombinim i Bronco Sport dhe Bronco standard: para e njohur, trup katror dhe rrota rezervë pas, tipike për një off-roader. Ka edhe derë anësore që hapet si te modeli me benzinë dhe sensor Lidar mbi çati.
Ky Bronco elektrik është rezultat i bashkëpunimit midis Ford dhe Jiangling Motors dhe pritet të dalë në shitje në Kinë më vonë këtë vit. Çmimet e parashikuara janë nga 300,000 deri në 400,000 juanë, rreth 42,000-55,000 dollarë. /AutoPortali



