Drejtimi pa duar, një nga funksionet më të avancuara të sistemeve të ndihmës për shoferin (ADAS), po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, jo vetëm në modelet luksoze. Ajo që dikur konsiderohej teknologji futuriste, sot pritet si standard në shumë vetura të reja.
Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, Lucid Motors, ka njoftuar se duke filluar nga 30 korriku, do të aktivizojë përmes një përditësimi “over-the-air” (OTA) funksionet Hands-Free Drive Assist dhe Hands-Free Lane Change Assist në modelin Air sedan – pjesë e paketës së avancuar të asistentëve DreamDrive Pro, shkruan Autoweek.
Përditësimi do të vijojë më pas edhe për modelin SUV Lucid Gravity, gjatë muajve të ardhshëm.
“Shtimi i këtyre veçorive është një dritare drejt së ardhmes që po ndërton Lucid përmes aftësive të jashtëzakonshme të veturave tona të përcaktuara nga softueri,” deklaroi Kay Stepper, zëvendëspresident për ADAS dhe drejtim autonom në Lucid, transmeton AutoPortali.
Sistemi DreamDrive Pro: Rivali i autopilot të Teslës, por me më shumë sy
Edhe pse konsiderohet Sistem i Nivelit 2 (SAE Level 2) – ashtu si Autopilot i Teslës – DreamDrive Pro kërkon që shoferi të mbajë vëmendjen në rrugë në çdo moment, pavarësisht se mund të mos ketë duart mbi timon për periudha të caktuara.
Dallimi kryesor është arsenali i teknologjisë: Lucid përdor 32 sensorë, duke përfshirë lidar, radar, sensorë ultrasonikë dhe kamera për të skanuar ambientin dhe për të monitoruar vëmendjen e shoferit. Në krahasim, Tesla ka kaluar tërësisht në përdorimin ekskluziv të kamerave – madje edhe për sistemin e saj të Nivelit 4, të testuar aktualisht në Austin.
Lucid ka ndërtuar sistemin e saj që të jetë i përmirësueshëm deri në Nivelin 3, i cili në teori do t’i lejonte shoferit të heqë edhe sytë nga rruga për periudha të gjata. Megjithatë, kjo kapacitet ende nuk është aktivizuar përmes ndonjë përditësimi.
“Me arkitekturën tonë të softuerit, 32 sensorët dhe përditësimet e rregullta OTA, kemi një plan të qartë për t’u ofruar klientëve funksionalitete gjithnjë e më të avancuara,” shton Stepper.
Rruga për nivelin 3 mbetet e bllokuar në ShBA
Sistemet e Nivelit 3, që lejojnë drejtim me sy dhe duar jashtë kontrollit, përballen me pengesa rregullative në SHBA. Aktualisht, vetëm Mercedes-Benz ka leje të kufizuar për këtë teknologji në disa shtete amerikane.
Autoritetet shtetërore dhe federale janë ende skeptike ndaj teknologjive që mundësojnë përdorimin e telefonit apo shikimin e filmave gjatë vozitjes – një ëndërr për shumë drejtues të makinave në trafikun e mëngjesit, por një sfidë serioze për sigurinë rrugore.
Për momentin, nuk ka një plan konkret për legalizimin e gjerë të Nivelit 3 në mbarë SHBA-në, dhe nuk mjafton që veturat të kenë harduerin e nevojshëm – duhen edhe dritat jeshile nga ligjvënësit. /AutoPortali



