Prodhuesi i veturave elektrike Polestar ka shënuar një rritje të dukshme në shitje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke shitur 18,049 njësi në nivel global – një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, kompania ka arritur të shesë gjithsej 30,319 automjete, që përbën një rritje prej 51% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, shkruan AutoWeek.
Megjithatë, pavarësisht kësaj performance pozitive, shifrat mbeten modeste në krahasim me konkurrencën, dhe sfidat në tregun e automjeteve elektrike nuk janë zhdukur, transmeton AutoPortali.
Vetëm disa vite më parë, Polestar kishte në ofertë vetëm një model – sedanin Polestar 2 – i cili duhej të përballej me dominimin e Tesla Model 3. Sot, kompania ka trefishuar gamën me futjen e crossover-it Polestar 3 dhe modelit më jo-konvencional Polestar 4. Por, ndryshe nga pritjet, kjo zgjerim i ofertës nuk solli menjëherë trefishim të shitjeve.
Në fakt, rekordi i deritanishëm i shitjeve të modelit Polestar 2 u arrit në tremujorin e parë të vitit 2023 me rreth 12 mijë njësi të shitura. Kjo shifër u arrit sërish vetëm në fillim të vitit 2025, por kësaj here me ndihmën e tri modeleve. Kjo ka ngjallur shqetësime për të ardhmen e markës, e cila operon nën ombrellën e gjigantit kinez Geely.

Megjithatë, drejtuesit e kompanisë mbeten optimistë. CEO i Polestar, Michael Lohscheller, deklaroi: “Ne kemi dorëzuar një tjetër tremujor të fuqishëm rritjeje, pavarësisht kushteve gjithnjë e më të vështira në treg dhe në skenën gjeopolitike. Rritja prej 38% në tremujorin e dytë dhe 51% në gjysmën e parë të vitit është dëshmi se zgjerimi ynë i shitjes me pakicë po jep rezultate dhe se më shumë konsumatorë po zgjedhin Polestar.”
Në fundvit pritet të debutojë edhe modeli i katërt, Polestar 5, një sedan sportiv me katër dyer i frymëzuar nga koncepti Precept, i cili premton 884 kuaj fuqi falë konfigurimit me dy motorë elektrikë. Por ky model do të përballet me një treg gjithnjë e më të ngopur me vetura elektrike luksoze, si Porsche Taycan, Lucid Air, Mercedes-Benz EQS, BMW i7, Audi e-tron GT dhe natyrisht Tesla Model S.
Kështu, për ta fituar terrenin, Polestar 5 do të duhet të gjejë shumë shpejt audiencën e vet në një det konkurrence të fortë.
Mbetet të shihet nëse prania e katër modeleve do të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë Polestar-it një ngritje të qëndrueshme në vëllimshitje, në një treg që po bëhet gjithnjë e më i ngjeshur dhe kërkues. /AutoPortali



