Në një kohë kur çmimet e udhëtimeve vazhdojnë të rriten, një tendencë e re po fiton terren: udhëtarët po blejnë pushimet e anuluara të të tjerëve për çmime shumë më të ulëta. Kjo formë “re-ciklimi turistik” po kthehet në zgjidhje ekonomike për të dyja palët, ata që humbasin para për shkak të rezervimeve të pakthyeshme dhe ata që kërkojnë aventura të lira.
Koncepti është i thjeshtë: kur dikush detyrohet të anulojë udhëtimin për arsye shëndetësore, emergjenca apo ndryshime të papritura, platforma si SpareFare, Roomer, Plans Change dhe Transfer Travel hyjnë në lojë.
Sipas NyPost, ato funksionojnë si tregje ku njerëzit shesin fluturime, prenotime hoteli apo paketa turistike që nuk mund t’i përdorin më shpesh me ulje mes 20% deri në 30% nga çmimi fillestar, transmeton AutoPortali.
E ngjashme me një outlet për pushime, kjo skemë po fiton popullaritet veçanërisht tek udhëtarët spontanë. Një nga faqet më të njohura është SpareFare, e cila lidh udhëtarët me prenotime të pakthyeshme me blerës të interesuar që kërkojnë oferta të mira.
Kjo platformë merr një komision prej 12% dhe mban fondet në një llogari të sigurt derisa udhëtimi të realizohet, për të shmangur mashtrimet.

Samina Ahmed, 46 vjeçe nga Leeds, e cila udhëton me djalin e saj të vogël, ka kursyer mijëra paund nëpërmjet këtyre faqeve. Ajo tregoi për Wall Street Journal se njëherë bleu një udhëtim njëjavor “all inclusive” në Tajlandë për vetëm 1,200 dollarë, një paketë që zakonisht kushtonte rreth 4,700 dollarë.
Ndërkohë që jo të gjitha rezervimet mund të transferohen, platformat zakonisht ndihmojnë për të zgjidhur problemet. Në një rast, kur Ahmed nuk mund të shtonte djalin e saj në paketën për Spanjë për shkak të moshës së tij të mitur, SpareFare i ktheu paratë.

“Ne e kuptojmë që këta persona janë në vështirësi, nuk shet pushimet për qejf – ndaj përpiqemi t’i ndihmojmë sa më shumë,” tha pronari i SpareFare, Erik Ritland.
Ekspertët këshillojnë se rezervimet në minutën e fundit, pak ditë para nisjes, janë shpesh më të lirat sidomos për udhëtarët e rinj që preferojnë fleksibilitetin para planifikimit afatgjatë.
Nëse je gati për një aventurë të rastësishme dhe me ulje, merr pushimet e dikujt tjetër. Dhe nëse i ndave rrugët me partnerin e udhëtimit shit paketën para se të ngecësh me të. /AutoPortali



