Ford rikthehet në ‘pistë’, modele të reja për të ndalur rënien në Evropë
F

Ford rikthehet në ‘pistë’, modele të reja për të ndalur rënien në Evropë

Ford po planifikon një ofensivë të re me modele të reja veturash në tregun evropian, si përpjekje për të ndalur rënien e shitjeve dhe për të rikthyer vëmendjen tek makina klasike, përtej SUV-ëve dhe elektrikeve të vakëta.

Sipas Motor1, kompania amerikane dikur ishte forcë dominuese në tregun evropian, por sot Ford Europe është vetëm një hije e asaj që ishte dikur.

Gjatë viteve të fundit janë ndërprerë modele të njohura si Ka, Mondeo, Fiesta, S-Max dhe Galaxy. Këtë vit, pritet të largohet edhe Focus, duke lënë Ford-in pa asnjë model klasik me shitje të larta jashtë segmentit të crossover-ëve, transmeton AutoPortali.

Kjo ka ndikuar ndjeshëm në performancën e kompanisë. Në pesë muajt e parë të vitit, janë shitur vetëm 185,404 njësi në Evropë, një rënie prej 1.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të 2024-s. Pjesa e tregut është tkurrur në 3.3%, ndërsa Toyota ka arritur 6.6%, sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA).

Megjithatë, Ford ka në plan një rikthim të fuqishëm përmes lançimit të modeleve të reja, sipas gazetës gjermane Automobilwoche.

Drejtori i sapoemëruar për Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën, Christoph Herr, u ka konfirmuar përfaqësuesve të shitjes në një video-konferencë se janë dhënë dritat jeshile për zhvillimin e veturave të reja. CEO Jim Farley besohet se ka aprovuar projektet që synojnë të mbushin boshllëkun e lënë nga ndalja e emrave legjendarë të markës.

Nuk është e qartë sa modele do të lansohen dhe nëse do të jenë me motorë klasikë apo elektrikë, por mendohet se Ford do të synojë sërish vetura me djegie të brendshme, për shkak të shitjeve të dobëta të modeleve të tij elektrike Explorer dhe Capri, të ndërtuar mbi platformën e Volkswagen dhe të prodhuara në fabrikën e Köln-it. Aty së fundmi është arritur një marrëveshje për largime vullnetare nga puna, për shkak të kërkesës së ulët për EV.

Shitësit evropianë e kanë mirëpritur njoftimin, me njëri prej tyre që është cituar të ketë thënë: “Ky është një lehtësim i madh. Na duhen modele të reja dhe jo vetëm elektrike.” Një tjetër deklaroi: “E duam këtë markë është pjesë e Evropës dhe duhet të mbetet e tillë.”

Megjithatë, pasi informacionet po u jepen shitësve vetëm tani, nuk pritet që modelet e reja të mbërrijnë në treg në një të ardhme të afërt. Ky vendim i përket vetëm tregut evropian, ndërsa nuk ka asnjë njoftim nëse modelet klasike do të rikthehen edhe në SHBA, ku Ford tashmë ka larguar prej vitesh Fiesta-n, Focus-in, Fusion-in dhe Taurus-in.

CEO Jim Farley kishte deklaruar më parë se Ford nuk dëshiron më të jetë pjesë e “biznesit të veturave të mërzitshme”, por të fokusohet në makina ikonike që gjenerojnë fitime reale.

Edhe pse fillimisht kishte premtuar kalimin total në makinat elektrike në Evropë deri në vitin 2030, Ford ka tërhequr hapin dhe ka shtyrë objektivat. Megjithatë, BE-ja ka planifikuar ndalimin e shitjes së veturave të reja me emetime në vitin 2035, çka do të thotë se epoka e motorëve me naftë dhe benzinë do të mbyllet përfundimisht. /AutoPortali

TË FUNDIT