Turistët e huaj po rikthehen gradualisht në Kinë pasi qeveria kineze ka lehtësuar ndjeshëm politikat e vizave në një shkallë të paparë më parë. Shtetasit nga 74 vende mund të hyjnë në territorin kinez pa vizë deri në 30 ditë, një hap i madh nga rregulloret e mëparshme.
Ky ndryshim vjen si pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të ringjallur turizmin, ekonominë dhe ndikimin e butë të vendit.
Sipas Administratës Kombëtare të Emigracionit siç shkruan NyPost, më shumë se 20 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në Kinë pa vizë gjatë vitit 2024 mbi një të tretën e totalit dhe më shumë se dyfishi i vitit të kaluar.
“Kjo e thjeshton vërtet udhëtimin. Procedurat për vizë janë të lodhshme dhe të kushtueshme,” thotë Georgi Shavadze, një turist gjeorgjian me banim në Austri, gjatë vizitës në Tempullin e Qiellit në Pekin, transmeton AutoPortali.
Megjithëse atraksionet turistike mbeten të dominuara nga vendasit, agjencitë e udhëtimit dhe guidat turistike po përgatiten për një valë të re turistësh ndërkombëtarë me afrimin e sezonit veror.
“Jam i mbingarkuar me kërkesa dhe mezi po ia dal,” shprehet Gao Jun, guidë turistike me mbi 20 vite përvojë. Për të përballuar fluksin, ai ka nisur një kurs trajnimi për guida që flasin anglisht.
Pas kufizimeve të rrepta për shkak të pandemisë, Kina i hapi kufijtë për turistët në fillim të vitit 2023. Por vetëm 13.8 milionë persona e vizituan atë vit, krahasuar me 31.9 milionë në 2019, përpara shpërthimit të COVID-19.
Kush mund të hyjë në Kinë pa vizë dhe për sa kohë?
Që nga dhjetori 2023, qytetarët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Spanjës dhe Malajzisë mund të udhëtojnë pa vizë. Prej atëherë, thuajse e gjithë Evropa është përfshirë në skemën 30-ditore.
Shtetas nga pesë vende të Amerikës Latine, Uzbekistani dhe katër shtete të Lindjes së Mesme janë shtuar më vonë. Më 16 korrik 2025, Azerbajxhani bëhet vendi i 75-të në këtë listë. Rreth 2/3 e vendeve janë përfshirë në këtë politikë në kuadër të një prove njëvjeçare.
“Më parë duhej të shkonim dy herë në ambasadë për të marrë vizën – e lodhshme, e kushtueshme, me dy fëmijë në krah,” rrëfen norvegjezi Øystein Sporsheim.
Kompani të tilla si WildChina raportojnë rritje të ndjeshme të kërkesës. “Biznesi është rritur me 50% në krahasim me periudhën para pandemisë,” thotë drejtoresha Jenny Zhao. Klientët nga Evropa tani përbëjnë 15–20% të totalit të rezervimeve, nga më pak se 5% përpara vitit 2019.
Sipas Trip.com, platformë e njohur kineze për udhëtime, politika e re ka dyfishuar rezervimet për udhëtime drejt Kinës në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 75% e rezervimeve kanë ardhur nga rajonet pa viza.
10 ditë tranzit për shtetasit që nuk përfitojnë nga skema 30-ditore
Shtetasit nga 10 vende që nuk janë pjesë e politikës 30-ditore, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Suedinë dhe Rusinë, mund të hyjnë në Kinë për deri në 10 ditë, për sa kohë udhëtimi i tyre është tranzit (d.m.th. hyjnë nga një vend dhe dalin në një tjetër të ndryshëm).
Kjo politikë vlen vetëm në 60 pika hyrjeje, dhe për momentin është një alternativë më e kufizuar për shtetasit që nuk janë pjesë e skemës së vizave falas.
Mungesa e shteteve afrikane në këtë listë është e dukshme, pavarësisht lidhjeve të ngushta politike e ekonomike me kontinentin. /AutoPortali



