Modeli i përmirësuar Subaru Crosstrek 2026 sjell risi të rëndësishme si në performancë ashtu edhe në efikasitet, teksa prodhuesi japonez ka vendosur të heqë dorë nga motori 2.0-litërsh për tregun amerikan, duke e zëvendësuar me një motor më të fuqishëm 2.5-litërsh me katër cilindra.
Në versionin bazë, fuqia rritet ndjeshëm nga 152 kuaj fuqi në modelin 2025, në 180 kuaj fuqi për modelin e ri, ndërsa çift rrotulluesi kalon nga 145 në 178 lb-ft, shkruan AutoWeek.
Kjo rritje prej afro 20% pritet të përmirësojë ndjeshëm ndjesinë në ngasje, sidomos në momentet e parakalimeve dhe hyrjes në rrugë kryesore, transmeton AutoPortali.
Kthehet versioni hibrid
Krahas rritjes së fuqisë në versionin standard, Subaru ka prezantuar edhe një sistem të ri hibrid, i cili do të jetë i disponueshëm duke filluar nga niveli Sport e lart. Ky version kombinon motorin 2.5-litërsh me dy motorë elektrikë, duke arritur një fuqi totale prej 194 kuaj fuqi. Vetë motori me djegie të brendshme jep 162 kuaj fuqi, pjesa tjetër plotësohet nga komponentët elektrikë.
Të dy versionet si ai me benzinë ashtu edhe ai hibrid përdorin transmisionin automatik me variacion të vazhdueshëm (CVT) dhe shpërndarje të fuqisë përmes sistemit Simetrik me të gjitha rrotat aktive (AWD) të Subaru-s.
Sa do të kushtojë?
Performanca më e lartë sjell edhe një rritje të lehtë në çmim. Subaru Crosstrek 2026 do të nisë nga 28,415 dollarë, një rritje modeste krahasuar me modelin 2025 që kushtonte 27,980 dollarë.
Për ata që synojnë versionin hibrid, çmimi fillestar do të jetë 35,415 dollarë, që përfaqëson një shtesë prej 3,370 dollarësh krahasuar me variantin Sport vetëm me motor me djegie të brendshme. /AutoPortali



