Londra dhe Berlini drejt lidhjes hekurudhore direkte
L

Londra dhe Berlini drejt lidhjes hekurudhore direkte

Një lidhje hekurudhore direkte mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë mund të bëhet realitet në vitet e ardhshme, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe më 17 korrik 2025. Sipas marrëveshjes, të dy qeveritë do të krijojnë një grup pune të përbashkët që do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një linje hekurudhore direkte për pasagjerë nga Londra në Berlin brenda dekadës së ardhshme.

Sipas EconomicTimes, ky hap vlerësohet si një përparim i madh drejt përmirësimit të transportit ndërkufitar, me ndikim të drejtpërdrejtë për turistët, udhëtarët e biznesit dhe operatorët hekurudhorë në të dy vendet.

Synimi: një alternativë më e shpejtë dhe më e gjelbër ndaj fluturimeve

Aktualisht, pasagjerët që udhëtojnë nga Londra në Berlin duhet të ndërrojnë trena në Paris ose Bruksel, me një kohë totale udhëtimi prej 9–10 orësh, transmeton AutoPortali.

Një linjë direkte do të eliminonte ndërrimet dhe do të reduktonte ndjeshëm kohën e udhëtimit, duke e bërë trenin një alternativë më konkurruese ndaj fluturimeve të shkurtra dhe më tërheqëse për ata që kërkojnë opsione me më pak emetime karboni.

Sekretarja britanike e Transportit, Heidi Alexander, deklaroi se: “Po hapim një epokë të re të lidhjes hekurudhore europiane dhe synojmë që Britania të jetë në qendër të një kontinenti më të lidhur.” Ajo shtoi se ky projekt “ka potencialin të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si udhëtojnë miliona njerëz mes dy vendeve, duke ofruar një alternativë më të shpejtë, më komode dhe ndjeshëm më të gjelbër se fluturimet.”

Mbështetje për turizmin, tregtinë dhe objektivat klimatike

Sipas Departamentit të Transportit të Mbretërisë së Bashkuar, projekti do të mbështesë turizmin, do të krijojë vende pune, do të nxisë tregtinë dypalëshe dhe do të përputhet me objektivat afatgjatë për klimën.

Grupi i përbashkët i punës do të përfshijë ekspertë të transportit dhe infrastrukturës nga të dy qeveritë dhe do të shqyrtojë të gjitha kërkesat teknike, ligjore dhe tregtare, përfshirë standardet e sigurisë, aksesin në linjat hekurudhore, kontrollet kufitare pas-Brexit dhe procedurat e skanimit të sigurisë.

Zyrtarët kanë bërë të ditur se qëllimi është të “hiqen barrierat” që aktualisht pengojnë shërbimet e gjata hekurudhore mes Britanisë dhe pjesës tjetër të Europës, përtej linjave ekzistuese drejt Parisit dhe Brukselit.

Projekti është pjesë e Planit për Ndryshim të qeverisë britanike, një strategji afatgjatë që synon forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të transportit dhe promovimin e lëvizjes së qëndrueshme. Nisma pasohet nga një marrëveshje e ngjashme me Zvicrën për të shqyrtuar një linjë direkte hekurudhore Londër–Zyrih.

Organizatat e turizmit dhe përfaqësues të biznesit në të dy vendet kanë mirëpritur marrëveshjen, duke e cilësuar si një mundësi për të nxitur vizitat turistike, tregtinë ndërkufitare dhe investimet afatgjata. Sipas autoriteteve, përmirësimi i lidhjeve hekurudhore është thelbësor për të përmbushur objektivat klimatike, për të ulur varësinë nga fluturimet e shkurtra dhe për t’i ofruar udhëtarëve alternativa më të qëndrueshme.

Edhe pse nuk ka ende një afat të saktë për nisjen e shërbimit, formimi i grupit të përbashkët të punës shënon fillimin zyrtar të bashkëpunimit ndërkufitar për këtë projekt ambicioz që mund të ndryshojë mënyrën e udhëtimit në Evropë për miliona pasagjerë. /AutoPortali

TË FUNDIT