Raste të pasagjerëve që tentojnë të hapin derën emergjente gjatë fluturimit janë shtuar kohët e fundit, duke alarmuar udhëtarët dhe vënë në lëvizje autoritetet ajrore. Por, sa realisht e rrezikshme është kjo sjellje dhe çfarë ndodh nëse dikush përpiqet të hapë derën në 10 mijë metra lartësi?
Sipas Dan Bubb, ish-pilot dhe ekspert i sigurisë në aviacion, në tokë dera emergjente hapet lehtësisht, çka aktivizon automatikisht rrëshqitësen e emergjencës. Kjo ndodh sepse presioni i ajrit brenda kabinës dhe jashtë saj është i barabartë, duke e bërë të mundur çaktivizimin manual të mekanizmit të bllokimit.
NyPost shkruan, se zakonisht është stjuardesa që aktivizon këtë mekanizëm në raste evakuimi, por nuk kanë munguar rastet kur pasagjerë ose edhe vetë anëtarë të ekuipazhit e kanë përdorur pa shkak emergjence, transmeton AutoPortali.
Në dhjetor, një pasagjer në Spanjë hapi derën emergjente dhe lëshoi rrëshqitësen, pasi u panikos për shkak të vapës në avionin që ndodhej në pistë. Në një tjetër rast në janar, një anëtar i ekuipazhit të British Airways gabimisht aktivizoi rrëshqitësen, duke i shkaktuar kompanisë një dëm prej 122 mijë dollarësh.
Ndoshta më i famshmi është incidenti i vitit 2010, kur një stjuard i JetBlue, Steven Slater, hoqi dorë nga puna në mënyrë spektakolare: mori dy birra, hapi derën dhe rrëshqiti poshtë avionit.
Po në ajër? Asgjë nuk ndodh.
Ekspertët thonë se është praktikisht e pamundur të hapet dera emergjente gjatë fluturimit për shkak të diferencës së madhe në presion mes brendësisë së avionit dhe jashtë tij. “Presioni i ajrit brenda avionit është shumë më i lartë se ai jashtë, çka e bën të pamundur hapjen e derës në ajër”, shpjegon Bubb.
Sipas Steve Scheibner, pilot i American Airlines dhe instruktor i fluturimit, për të hapur një derë emergjente gjatë fluturimit do të duheshin rreth 25 mijë paund forcë. “Presioni në derë është rreth 9 paund për çdo inch katror, kështu që fizikisht nuk është e realizueshme”, tha ai për Travel + Leisure.
Nëse dikush do të arrinte ta hapte derën në ajër hipotetikisht pasojat do të ishin ekstreme: maskat e oksigjenit do të binin, avioni do të futej menjëherë në zbritje të shpejtë drejt një lartësie të sigurt prej 14 mijë këmbësh (rreth 4.200 metra) brenda 4 minutash, për të shmangur mungesën e oksigjenit.
Mekanizmi i bllokimit të derës aktivizohet sapo avioni arrin një shpejtësi prej 92 miljesh në orë gjatë ngritjes, duke e bërë të pamundur çbllokimin deri në ulje.
Ky sistem sigurie u bë i detyrueshëm nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) në vitin 1972, pas një vale rrëmbimesh avionesh në vitet ’60 dhe ’70.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndalur disa individë që të tentojnë t’i hapin dyert në ajër.
Në qershor 2023, një pasagjer në një fluturim të Asiana Airlines arriti ta hapte derën emergjente pak para uljes në Daegu, Kore e Jugut, duke shkaktuar panik mes 194 pasagjerëve. Fatmirësisht, avioni u ul pa pasoja serioze, megjithëse 12 persona përfunduan në spital për shkak të hiperventilimit.
Eksperti i aviacionit, Geoffrey Thomas, e quajti incidentin “shumë të çuditshëm”, duke theksuar se teknikisht, “nuk është e mundur të hapen dyert në fluturim”.
Në shumicën e rasteve, tentimi për të hapur derën rezulton në divertim të fluturimit dhe arrestim të pasagjerit. Në një rast të vitit 2024, një stjuard theu këmbën duke u përpjekur të ndalojë një pasagjer gjatë një tentative për hapjen e derës. Pasagjeri në fjalë u akuzua për krim federal dhe mund të përballet me 20 vjet burg.
Në rastin më të mirë, ata që provojnë të hapin derën në fluturim do të përfundojnë në listën e zezë të kompanive ajrore pa kthim. /AutoPortali



