Shqipëria po kthehet në një magnet për pushuesit e huaj, duke regjistruar rritjen më të madhe të fluturimeve komerciale në Evropë pas periudhës së pandemisë.
Turizmi, si sektor, po shënon një zhvillim të shpejtë, për shkak kryesisht të zgjerimit të linjave ajrore “low-cost” që kanë sjellë fluturime të shumta drejt dhe nga vendi, transmeton AutoPortali.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave për qershorin e vitit 2025, numri i fluturimeve në Shqipëri është rritur me 166.4% krahasuar me të njëjtin muaj para pandemisë, duke e vendosur vendin në krye të Europës dhe rajonit për nga kjo rritje.
Vetëm gjatë qershorit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur rreth 1.15 milionë pasagjerë dhe janë kryer 6,830 fluturime drejt 103 destinacioneve në 31 vende, përmes 27 linjave ajrore aktive.
Në rajon, pas Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rritje prej 64.7%, Serbia 41.4%, Maqedonia e Veriut 21.8%, ndërsa Mali i Zi është i vetmi me rënie, -3.3%.
Në nivel europian, Shqipëria është e para për rritjen e fluturimeve, e ndjekur nga Islanda me 106.9%, pastaj Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Polonia. Nga ana tjetër, disa vende kanë shënuar rënie të dukshme: Letonia (-30.7%), Suedia (-23.6%), Finlanda (-22.3%) dhe Sllovenia (-21.7%).
Ky trend pozitiv për Shqipërinë tregon jo vetëm interesin e shtuar për turizmin, por edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve që vendi ofron për vizitorët e huaj. /AutoPortali
Ae



