Mercedes-Benz ka vendosur të vazhdojë prodhimin e modelit aktual A-Class hatchback deri në vitin 2028, përkundër planeve të mëhershme për të ndërprerë këtë linjë në fund të vitit 2025.
Ky vendim vjen si rezultat i kërkesës së qëndrueshme për versionin me motor me djegie të brendshme (ICE), i cili është në treg prej shtatë vitesh. Në të njëjtën kohë, adoptimi i modeleve më të reja elektrike të Mercedes-it, të ndërtuara mbi platformën e re MMA, ka qenë më i ngadaltë se sa ishte parashikuar fillimisht, shkruan Autocar, transmeton AutoPortali.
Pavarësisht njoftimeve të CEO-s Ola Källenius për fundin e prodhimit të A-Class dhe B-Class, Mercedes tani planifikon ta mbështesë linjën e re të modeleve CLA, GLA dhe GLB me një version të përmirësuar të hatchback-ut aktual të Klasës A.
Prodhimi i versionit sedan të A-Class ka përfunduar tashmë në fillim të këtij viti, ndërsa hatchback-u pritet të vazhdojë përtej futjes së rregullores EU7 në fund të vitit 2026. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse motorët aktualë me benzinë dhe naftë do të modifikohen për të përmbushur këto standarde më të rrepta të emetimeve.
Ndërkohë, modelet sportive A35 dhe A45 AMG pritet të tërhiqen nga tregu, pasi motori i tyre M139 2.0 litra turbo nuk plotëson kërkesat e reja të EU7. Nuk ka ende një afat të saktë se kur do të ndodhë kjo ndalesë.
Prodhimi i hatchback-ut të A-Class pritet të zhvendoset nga fabrika aktuale në Rastatt, Gjermani, në uzinën e Mercedes-it në Kecskemét, Hungari, e cila do të fokusohet gjithashtu në modelet e reja CLA dhe CLA Shooting Brake.



