Singapori mban sërish vendin e parë si pasaporta më e fuqishme në botë për vitin 2025, ndërkohë që Kosova dhe Bjellorusia renditen në fund të listës evropiane, shkruan Euronews.
Renditja e fundit e publikuar nga Henley Passport Index, e cila bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), tregon se Evropa vijon të dominojë klasifikimin global të pasaportave por jo të gjitha vendet e kontinentit po përfitojnë nga kjo prirje, transmeton AutoPortali.
Pasaporta e Singaporit ofron qasje pa vizë në 193 destinacione, duke e mbajtur në krye për të dytin vit radhazi. Japonia dhe Koreja e Jugut ndajnë vendin e dytë me nga 190 destinacione. Pas tyre renditen vendet evropiane.
Shtatë vende anëtare të BE-së: Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia dhe Spanja ndajnë vendin e tretë në rang botëror, me 189 destinacione pa vizë. Afër tyre janë Austria, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia dhe Suedia, të renditura në vendin e katërt me 188 destinacione.
Greqia, Zvicra dhe Zelanda e Re përmbyllin pesëshen e parë.
Kosova dhe Bjellorusia mbeten në fund të Evropës
Edhe pse Evropa përfaqësohet nga 28 vende në top-10 global falë marrëveshjeve të zonës Shengen dhe diplomacisë aktive, tabloja nuk është e barabartë për të gjithë. Kosova renditet në vendin e 61-të, ndërsa Bjellorusia në të 62-in, duke i bërë këto dy vendet me pasaportat më të dobëta në kontinent.
Kosova ofron qasje pa vizë në 82 destinacione, ndërsa Bjellorusia vetëm në 81, shumë më poshtë mesatares globale, e cila këtë vit është 109 destinacione.
Pavarësisht disa përparimeve diplomatike vitet e fundit, Kosova dhe Bjellorusia mbeten kryesisht jashtë përpjekjeve të mëdha për liberalizim vizash, veçanërisht në vendet perëndimore. Mosnjohja nga pesë vende të BE-së dhe mungesa e marrëveshjeve bilaterale pengojnë fuqizimin e pasaportës së Kosovës në nivel global.

ShBA dhe Britania humbin terren
Ndër vendet që kanë pësuar rënie të ndjeshme janë edhe SHBA dhe Britania e Madh, ish-liderë të kësaj renditjeje.
Britania, që në vitin 2015 ishte në vendin e parë, tani ka rënë në vendin e gjashtë, me akses pa vizë në 186 vende. SHBA, që kryesonte listën në vitin 2014, renditet tani në vendin e dhjetë, me 182 destinacione – pozicioni më i dobët në historinë 20-vjeçare të indeksit.
Sipas Henley & Partners, rënia e këtyre vendeve lidhet me politikat gjithnjë e më kufizuese të hyrjes për vizitorët. Ndërkohë, vende si Emiratet e Bashkuara Arabe (vendi i 8-të), Arabia Saudite (54-ta) dhe Kina (60-ta) po ngjiten shpejt falë marrëveshjeve të reja për heqjen e vizave dhe lehtësimit të hyrjes.
“Qasja fitohet dhe duhet të ruhet,” deklaroi Christian Kaelin, kryetar i Henley & Partners. “Vendet që investojnë në marrëdhënie diplomatike zakonisht ngrihen në renditje.” /AutoPortali



