15 destinacionet më të mbingarkuara nga turistët
1

15 destinacionet më të mbingarkuara nga turistët

Verës, të gjithë udhëtojnë. Dhe aty ku ka bukuri, ka edhe mbipopullim.

Një renditje e re nga platforma “Go2Africa” ka zbuluar 15 destinacionet turistike më të mbingarkuara në botë vende ku numri i turistëve tejkalon përmasat e popullsisë vendëse në mënyrë drastike.

Ky raport sipas NyPost, ndriçon një trend global që po rritet me shpejtësi: destinacionet piktoreske po përballen me pasojat e mbingarkesës turistike, transmeton AutoPortali.

Me rikthimin e fuqishëm të udhëtimeve ndërkombëtare, mbipopullimi nga turistët ka rikthyer debatet për qëndrueshmërinë, ndikimin në komunitetet lokale dhe për kufirin mes mikpritjes dhe ngarkesës së tepërt.

Për të përpiluar këtë listë, Go2Africa ka krahasuar numrin vjetor të vizitorëve në çdo shtet me numrin e banorëve, duke u bazuar në të dhënat nga bordet kombëtare të turizmit dhe raportet zyrtare.

Në krye të listës është Selia e Shenjtë, Vatikani, vendi më i vogël në botë për nga sipërfaqja dhe popullsia. Pavarësisht se ka vetëm 882 banorë, qyteti-shtet në zemër të Romës mirëpret rreth 6.8 milionë turistë në vit që i bie 7,709 turistë për çdo banor. Ky është reflektim i qartë i rëndësisë së tij shpirtërore dhe historike.

Në vendin e dytë është Andorra, një principatë malore në Pirenej, mes Francës dhe Spanjës. Me më pak se 82 mijë banorë dhe rreth 9.6 milionë vizitorë në vit, Andorra ka 117 turistë për banor, falë resorteve të skijimit dhe blerjeve pa taksa.

Në vend të tretë renditet San Marino, një tjetër mikro-shtet europian. Me 33,581 banorë dhe 2 milionë turistë në vit, raporti është 59.56 turistë për çdo vendas. Arkitektura mesjetare dhe pamjet e mrekullueshme nga kodrat e bëjnë shumë tërheqës.

Vendi i katërt i takon Bahameve parajsë e Karaibeve me ujëra kristal dhe plazhe të bardha. Me një popullsi prej rreth 400 mijë, ky shtet ishullor pret mbi 11.2 milionë turistë në vit, që i bie 27.96 turistë për banor.

Top pesëshja mbyllet me Saint Kitts dhe Nevis, një vend tropikal me vetëm 46,843 banorë dhe 875,000 turistë në vit pra 18.68 turistë për çdo vendas. I njohur për bukurinë natyrore dhe për faktin se ishte një nga destinacionet e preferuara të Princeshës Diana.

Ky raport ngre shqetësime jo vetëm për infrastrukturën e këtyre vendeve, por edhe për ndikimin në jetën e komuniteteve lokale.

Ndërsa destinacionet e bukura dhe me trashëgimi të pasur kulturore vazhdojnë të jenë joshëse për turistët globalë, këto të dhëna theksojnë nevojën për strategji të qëndrueshme turistike që i ruajnë këto vende për brezat e ardhshëm. /AutoPortali 

TË FUNDIT