Pas një prej tremujorëve më të dobët në historinë e saj, Tesla njoftoi planet për të lançuar një variant më të përballueshëm të SUV-it elektrik Model Y, në përpjekje për të nxitur sërish shitjet dhe për të qëndruar konkurruese në një treg që po ndryshon me shpejtësi.
Kompania pritet të nisë prodhimin e këtij versioni të thjeshtuar rreth muajve gusht ose shtator 2025. Megjithëse nuk bëhet fjalë për një model krejtësisht të ri, varianti i ri do të jetë një version më ekonomik i Model Y, automjetit më të shitur të markës deri më sot. Deri tani, modeli më i lirë i këtij SUV-i në tregun britanik fillon nga 51,990 paund, por pritet që çmimi i versionit të ri të jetë dukshëm më i ulët – megjithëse kompania nuk ka dhënë ende një shifër zyrtare, shkruan Autocar, transmeton AutoPortali.
Shefi ekzekutiv i Teslës, Elon Musk, kishte paralajmëruar më herët në janar nisjen e një game më të gjerë modelesh të përballueshme, për të zgjeruar aksesin tek makinat elektrike. Njoftimi vjen në një kohë kur Tesla po përballet me rënie të fortë të të ardhurave dhe presion të shtuar nga konkurrenca, veçanërisht në tregje si Kina dhe SHBA.
Në tremujorin e dytë të vitit 2025, Tesla raportoi një rënie prej 16% të të ardhurave, të cilat zbritën në 1.17 miliardë dollarë. Rënia u shkaktua nga një ulje e ndjeshme e shitjeve (13%), një rënie e çmimit mesatar të automjeteve dhe rritja e shpenzimeve operative.



