Motori legjendar i Ayrton Sennës del në ankand
M

Motori legjendar i Ayrton Sennës del në ankand

Një nga motorët më ikonikë në historinë e Formula 1 pritet të dalë në ankand më 15 gusht në shitjen prestigjioze të Bonhams’ Quail. Bëhet fjalë për motorin Honda V10 ‘RA100E-V805’, që është përdorur personalisht nga legjenda braziliane Ayrton Senna gjatë sezonit të vitit 1990.

Ky motor, që dikur fuqizonte McLaren-Honda MP4/5B të Sennës, ka qenë aktiv në dy gara kyçe të atij sezoni: Çmimi i Madh i Japonisë dhe ai i Australisë. Edhe pse në asnjërën prej tyre Senna nuk arriti të kurorëzohej me fitore – përplasja famëkeqe me Alain Prost në kthesën e parë në Suzuka dhe një dështim teknik në Adelaide – motori mbetet një relike e vyer e një epoke të artë të garave, shkruan TopGear, transmeton AutoPortali.

Për ironi, në atë kohë motorët si ky zakonisht çmontoheshin dhe shpesh hidheshin, pas inspektimeve teknike. Por për fatin e mirë të koleksionistëve dhe adhuruesve të historisë së F1, ky motor i veçantë nuk u shkatërrua. Ai u ruajt në një magazinë të Hondës në Japoni, ku qëndroi i harruar për më shumë se tri dekada. Vetëm vitin e kaluar u rizbulua dhe tani, pas një restaurimi të kujdesshëm, është gati për t’u shitur.

Bonhams e përshkruan motorin si “absolutisht më të rrallin e të rrallave”, një perlë dyfishe e trashëgimisë automobilistike: motori i fundit V10 i përdorur nga një prej vozitësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe njëkohësisht motori i fundit V10 i prodhuar nga Honda për Formula 1.

Motori do të vijë me një kabinet të punuar me porosi dhe certifikatë autenticiteti të lëshuar nga vetë Honda, dhe detaj që e bën akoma më tërheqës.

TË FUNDIT