Rama ultimatum bizneseve buzë rrugëve: Hiqni rraqet deri më 31 korrik
R

Rama ultimatum bizneseve buzë rrugëve: Hiqni rraqet deri më 31 korrik

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot nisjen e një aksioni për pastrimin e rrugëve kombëtare nga objektet dhe materialet e vendosura në mënyrë të paligjshme nga bizneset buzë rrugës.

Në një postim në Facebook, Rama tha se të gjitha bizneset përgjatë segmenteve rrugore kanë afat deri më 31 korrik për të larguar vetë çdo material të vendosur brenda 20 metrave nga aksi i rrugës, që sipas ligjit është distanca e sigurisë, shkruan AutoPortali.

“Përjashtim bëjnë vetëm objektet e ndërtuara me leje – por jo materialet në oborret e tyre të përparme apo gardhet, të cilat duhet të tërhiqen sipas projekteve që do t’u dorëzohen më tej nga ARRSH”, thekson Rama.

Sipas tij, çdo shkelje pas afatit do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore, bazuar në ligjin në fuqi.

“Rraqe buzë rrugëve, nga materiale ndërtimi, inerte, makina të vjetra e të tjera si këto, nuk do të tolerohen më,” shkruan Rama, duke shtuar se Shqipëria tashmë është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se “kjo fazë kalimtare e ka mbyllur ciklin e saj”.

Kryeministri u bëri thirrje të gjitha bizneseve dhe qytetarëve për mirëkuptim kombëtar, në funksion të projektit për Shqipërinë 2030 në BE. /AutoPortali

TË FUNDIT