Pasaporta e Shteteve të Bashkuara ka pësuar rënien më të madhe ndonjëherë në renditjen vjetore të fuqisë së pasaportave, duke u pozicionuar në vendin e 10-të për vitin 2025, niveli më i ulët në historinë 20-vjeçare të Indeksit të Pasaportave Henley.
NyPost shkruan se, një kohë e parë simbol i fuqisë globale, pasaporta amerikane sot ndan vendin e 10-të me Islandën dhe Lituaninë një shtet baltik me më pak banorë sesa një qark i vetëm në Kaliforni.
Indeksi Henley, i hartuar nga kompania londineze për migracion Henley & Partners, mat numrin e destinacioneve që një mbajtës pasaporte mund t’i vizitojë pa viza, transmeton AutoPortali.
Për vitin 2025, qytetarët amerikanë mund të hyjnë pa viza në 182 shtete, katër më pak se vitin e kaluar, dhe 11 më pak sesa qytetarët e Singaporit, që renditet i pari me 193 destinacione pa vizë.
Sipas metodologjisë së indeksit, lidhjet mes disa vendeve numërohen si një vend i vetëm në renditje, çka do të thotë se 33 vende kanë pasaporta më të fuqishme se SHBA-ja këtë vit.
Fuqia e pasaportave për vitin 2025:
- 1. Singapori – 193 destinacione
- 2. Japonia, Koreja e Jugut – 190
- 3. Danimarka, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Spanja – 189
- 4. Austria, Belgjika, Holanda, Luksemburgu, Norvegjia, Portugalia, Suedia – 188
- 5. Greqia, Zvicra, Zelanda e Re – 187
- 6. Mbretëria e Bashkuar – 186
- 7. Australia, Çekia, Hungaria, Malta, Polonia – 185
- 8. Kanadaja, Estonia, Emiratet e Bashkuara Arabe – 184
- 9. Kroacia, Letonia, Sllovakia, Sllovenia – 183
- 10. SHBA-ja, Islanda, Lituania – 182
Në fund të listës renditet Afganistani, me vetëm 25 vende që nuk kërkojnë vizë për qytetarët e tyre.
Rënia e SHBA-së vjen nga mungesa e marrëveshjeve të reja
Ekspertët theksojnë se rënia graduale e SHBA-së në këtë renditje lidhet me dështimin për të arritur marrëveshje të reja për lëvizje të lirë, veçanërisht gjatë administratës Trump.
Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga vendet perëndimore dhe aziatike që kanë forcuar diplomacinë dypalëshe për heqjen e vizave, kanë shtuar kufizimet si për hyrjet ashtu edhe për daljet.
Së fundmi, vendimi për të vendosur një tarifë prej 250 dollarësh për vizat jo-emigruese – e quajtur “visa integrity fee” pritet të përkeqësojë më tej marrëdhëniet reciproke dhe të dekurajojë marrëveshje të reja.
Ndërkohë, disa vende kanë bërë përparim të ndjeshëm falë diplomacisë aktive. Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull, janë ngjitur nga vendi i 42 në 2015 në vendin e 8 për vitin 2025 rritja më e madhe për një shtet brenda dhjetëshes më të fuqishme. Kina ka përparuar gjithashtu me 34 pozita, nga vendi i 94 në të 60-tin.
“Pasaporta nuk është më vetëm një dokument udhëtimi është një pasqyrim i fuqisë diplomatike dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit tuaj,” deklaroi CEO i Henley & Partners, Dr. Juerg Steffen. /AutoPortali



