Fushat e livandos në Brihuega kanë tërhequr më shumë se 100,000 vizitorë vetëm gjatë muajit korrik.
Një imazh i garantuar për sukses në rrjetet sociale një pozë me veshje të stilizuar mes rreshtave të gjelbër e të purpurt të livandos që shtrihen deri në horizont.
Kjo bukuri fotogjenike ka shkuar aq larg saqë është bërë e pakontrollueshme për komunitetin lokal në këtë qytet spanjoll.
Brihuega, në provincën e Guadalajarës, tërheq çdo vit qindra mijëra turistë në fushat e saj të livandos.
Me numrin e madh të vizitorëve që zbresin në këtë atraksion në fundjavë gjatë sezonit të lulëzimit, autoritetet lokale po shqyrtojnë mënyra për të reduktuar ndikimin e turizmit ndaj banorëve.
100,000 turistë vizitojnë fushat e livandos në qytetin spanjoll gjatë korrikut
Brihuega disponon rreth 1,000 hektarë me livando, të cilat përdoruesit e rrjeteve sociale i kanë zbuluar si një sfond ideal për fotografi në Instagram.
Falë këtij buumi në rrjetet sociale, destinacioni ka fituar popullaritet të madh gjatë 10 viteve të fundit, me turizmin që ka ndihmuar në ndalimin e rënies së popullsisë në këtë zonë rurale.
Qyteti ka përjetuar një rritje prej 24 për qind të popullsisë dhe ka parë miliona euro të hyra në ekonominë lokale, shkruan EuroNews, transmeton AutoPortali.
Por tani situata ka ndryshuar, pasi numri në rritje i vizitorëve që vijnë në Brihuega krijon një presion të jashtëzakonshëm mbi infrastrukturën lokale të qytetit.
Mbi 100,000 persona kanë zbritur në fushat gjatë korrikut, muajit kur livanda është në kulmin e lulëzimit, duke vënë presion të madh mbi komunitetin me më pak se 3,000 banorë.

Edhe pse autoritetet lokale pranojnë rëndësinë ekonomike thelbësore të fushave të livandos, kryetari i bashkisë, Lusi Viejo, i ka bërë apel turistëve që të shmangin vizitat gjatë fundjavave.
“Për shembull, të shtunën e kaluar fshati u përmbyt nga njerëzit. Ishte një kohë e vështirë për mua,” tha zoti Viejo për gazetën kombëtare spanjolle ABC.
“Falë livandos kemi një gamë të gjerë ofertash turistike, kulturore dhe artistike,” shtoi ai.
“Por këshilla ime është që njerëzit të vijnë e të na vizitojnë midis të hënës dhe të enjtes – ju lutem! Fundjavat janë shumë më të vështira për shkak të numrit të madh të njerëzve që vijnë.”
Turizmi i livandos sjell 8 milionë euro në ekonominë rajonale
Problemi kryesor, veçanërisht gjatë sezonit të lulëzimit, është bllokimi i rrugicave të ngushta historike të Brihuegas dhe parkimi i automjeteve në mënyrë të paorganizuar.
“Për vitin e ardhshëm duhet të ndërtojmë një parking park-and-ride në periferi të qendrës historike dhe ta lidhim me autobusa transportues,” tha Viejo.
Në një komunikim të fundit me banorët lokalë, ai njoftoi planet për një sistem të përhershëm park-and-ride me shërbim shuttle.

Kryetari i bashkisë po ashtu theksoi se hyrja në fushat e livandos mbetet falas, gjë që e bën të pamundur kontrollin e numrit të vizitorëve apo vendosjen e taksave turistike.
Megjithë vështirësitë nga turma e madhe, numri i konsiderueshëm i turistëve ka sjellë 8 milionë euro në ekonominë rajonale gjatë sezonit të livandos.
“Menaxhimi i një fluksi kaq të madh vizitorësh në kaq pak kohë është i vështirë. Punojmë fort, kemi një komitet sigurie, por përsëri janë shumë njerëz,” tha kryetari i bashkisë.
Ai shtoi se synimi është të tërhiqet turizëm gjatë gjithë vitit dhe të shpërndahen më mirë vizitorët, në vend të përqendrimeve vetëm gjatë sezonit të lulëzimit të livandos.
Kryetari i Brihuegas vuri në pah përpjekjet e këshillit për të promovuar vizitat në fushat me sumak gjatë tetorit dhe nëntorit, kur pjerrësitë mbulohen nga lule të kuqe të thella. /AutoPortali



