Dy shoferë të rinj janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi janë kapur duke zhvilluar gara të rrezikshme me shpejtësi ekstreme në rrugën Varosh-Gërlicë të Ferizajt, përtej çdo limiti të lejuar.
B.S., 22 vjeç, me veturë të tipit BMW dhe targa të Zvicrës, u ndalua nga njësitet policore teksa po voziste me 192 km/h në një zonë ku kufiri i lejuar është 60 km/h. Si masë ndëshkuese, ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh, i është ndaluar e drejta e vozitjes në territorin e Kosovës për 12 muaj dhe janë njoftuar autoritetet kompetente zvicerane.
Pak minuta më pas, në të njëjtën rrugë, është ndaluar edhe F.S., 20 vjeç, me veturë të tipit Porsche, duke vozitur me 185 km/h. Edhe ai është ndëshkuar me 500 euro gjobë, 12 muaj ndalim drejtimi në Kosovë dhe 5 pikë negative në patentë-shofer, shkruan AutoPortali.
Shpejtësia e tyre është matur përmes veturës inteligjente të Policisë së Kosovës, e pajisur me radar të avancuar për identifikimin e shkelësve në kohë reale.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet në rrugë do të vazhdojnë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e ngasjeve të rrezikshme që mund të kenë pasoja fatale. /AutoPortali



