Lamborghini ka publikuar rezultatet financiare dhe të shitjeve për gjysmën e parë të vitit 2025. Edhe pse marka italiane ka shënuar një rekord të ri në shitje për këtë periudhë, fitimi operativ ka pësuar një rënie të lehtë.
Në një vit sfidues për shumë prodhues makinash, pjesërisht për shkak të paqëndrueshmërisë politike, Lamborghini ka arritur të shmangë një rënie të madhe të të ardhurave operacionale. Rritja e shitjeve i atribuohet kryesisht gamës së re hibride të markës, shkruan AutoBlog, transmeton AutoPortali.
Rekord i ri në dërgesat për gjysmën e parë të vitit
Lamborghini ka dorëzuar 5,681 vetura në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, një rritje prej 2% krahasuar me vitin 2024 – shifra më e lartë ndonjëherë për fillimin e një viti. Rajoni EMEA (Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika) udhëhoqi me 2,708 njësi të shitura, i ndjekur nga Amerika me 1,732 njësi dhe rajoni APAC (Azia dhe Paqësori) me 1,241 njësi.
“Rezultatet nga gjashtëmujori i parë i vitit 2025 janë të forta, pavarësisht paqëndrueshmërisë ekonomike dhe politike globale, dhe konfirmojnë se vendimi për të hibridizuar të gjithë gamën ishte i duhuri,” deklaroi Stephan Winkelmann, kryetar dhe CEO i Automobili Lamborghini.
Ai theksoi suksesin e modeleve Revuelto dhe Urus SE, ndërsa paralajmëroi lansimin e modelit të ri Temerario, një superveturë plug-in hybrid me 907 kuaj fuqi, e cila mund të shfaqet edhe në një version më të egër me tërheqje vetëm në rrotat e pasme. Duke parë suksesin e linjës hibride, CEO i Lamborghini zbuloi se Lanzador, EV-ja e parë e planifikuar e markës, mund të transformohet në një plug-in hybrid para se të debutojë.

Rënie e lehtë e fitimit
Fitimi operativ i Lamborghini-t për gjysmën e parë të vitit 2025 ishte 431 milionë euro (rreth 497 milionë dollarë), nga 458 milionë euro që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kompania thotë se kjo rënie vjen kryesisht për shkak të kursit të pafavorshëm të këmbimit gjatë tremujorit të fundit. Marzhi i fitimit operativ ra nga 28.3% në 26.6%.
Është e habitshme që Lamborghini nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë ndaj tarifave amerikane në raportin e saj, pavarësisht se ato kanë sjellë humbje të mëdha për kompaninë mëmë, Volkswagen Group, gjatë këtij viti.
“Në këtë kontekst makroekonomik dhe gjeopolitik, performanca financiare dhe e biznesit në gjysmën e parë të vitit 2025 dëshmon qëndrueshmërinë që kemi ndërtuar ndër vite dhe e konfirmon sërish pozicionimin e markës si një nga lojtarët kryesorë në sektorin e luksit,” deklaroi Paolo Poma, Drejtor Menaxhues dhe CFO i Lamborghini-t.
Çfarë pritet më tej?
Me dërgesat e Temerario-s që pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm, pritet që vrapimi rekord i shitjeve të Lamborghini-t të vazhdojë edhe më tutje. /AutoPortali



