Destinacionet sekrete të Evropës ku të pasurit po fshihen këtë verë
D

Destinacionet sekrete të Evropës ku të pasurit po fshihen këtë verë

Dikur udhëtarët e luksit planifikonin itineraret për t’u parë e për t’u dukur. Sot, shenja më e madhe e statusit është të zhdukesh krejtësisht nga sytë e publikut.

Simbolet e dikurshme të luksit një tavolinë e ndriçuar nga dielli në Club 55 të St. Tropez, një shezllon në rreshtin e parë në Cala Jondal të Ibizës, ose hedhja e spirancës në plazhin Nammos në Mykonos janë pushtuar nga influencerët, shkruan EconomicTimes, transmeton AutoPortali.

Kjo ka bërë që anonimiteti dhe diskrecioni të shndërrohen në luksin më të kërkuar nga udhëtarët më të pasur të ditëve tona. Edhe pse në vitin 2025 moda “stealth wealth” ka lënë vend për shkëlqim dhe ekspozim, “stealth travel” (udhëtimi pa u vënë re) mbetet në kulmin e popullaritetit.

“Kemi vërejtur një largim nga destinacionet klasike të luksit drejt vendeve që ofrojnë privatësi dhe ekskluzivitet të thelluar,” thotë Jaclyn Sienna India, CEO e agjencisë Sienna Charles që u shërben miliarderëve dhe 1% të pasurive globale.

Klientët po preferojnë gjithnjë e më shumë vende që kërkojnë përpjekje të vërtetë për t’u arritur destinacione larg turmave dhe jashtë çdo itinerari standard: si Liqeni Orta në vend të Liqenit Como, Korsika në vend të Cannes, Patmos në vend të Mykonos, Menorca në vend të Mallorca, apo ishuj privatë në Karaibe si Como Parrot Cay dhe Jumby Bay Island në vend të Saint Barth’s.

Ky orientim po ndikon edhe në strategjitë e zhvillimit të brendeve të mëdha të mikpritjes. Jo vetëm që po ndërtojnë resorte në këto destinacione “të reja”, por po i dizajnojnë me prioritet absolut privatësinë një trend që shpërtheu gjatë pandemisë.

“Hotelet po krijojnë gjithnjë e më shumë akomodime të pavarura, si cottage, për t’u ofruar mysafirëve përvojën e një vile private brenda një resorti,” shpjegon Melissa Biggs Bradley, themeluese e agjencisë së udhëtimeve luksoze Indagare.

Doni të shmangni zhurmën? Ja 6 destinacione europiane që të pasurit i kanë për vete këtë verë (dhe përtej saj):

Korsika dhe Èze, Francë

Për ata që duan të përjetojnë Rivierën Franceze pa turma, një alternativë më e qetë po fiton popullaritet. Korsika e egër, kinematografike dhe ende e paprekur nga turizmi masiv ofron plazhe të virgjëra, gjire të izoluara për jahtet private dhe vende që “zhduken” brenda peizazhit. Indagare rekomandon Domaine de Murtoli, një pronë prej 6,000 hektarësh në bregun jugperëndimor të ishullit, me vila të izoluara të ndërtuara nga shtëpitë e dikurshme të barinjve dhe me qasje private në plazh.

Në tokën kontinentale, disa fshatra karakteristikë pas Rivierës ofrojnë më shumë autenticitet se sa shkëlqim me rrugica prej guri, galeri arti dhe restorante lokale.

Veçohet Èze i ndërtuar në 400 metra lartësi mbi nivelin e detit. Mund të qëndroni në Château de la Chèvre d’Or, një hotel i shpërndarë në ndërtesa mesjetare me dhoma “luksoze prej guri”, tarraca që zbresin drejt detit dhe pamje që të lënë pa frymë.

Bono, familja Obama dhe DiCaprio janë vizitorë të rregullt.

Si të shkoni? Rreth 90 minuta fluturim nga Parisi në Korsikë ose Nice. Nga Nice deri në Èze janë rreth 25 minuta me makinë.

Liqeni Jasna, Slloveni

Midis Alpeve dhe Adriatikut, Sllovenia po bëhet ngadalë një nga arratisjet më të çmuara të Evropës për udhëtarët e rafinuar. Kuzhina përzien shije alpine, mesdhetare dhe sllave; kantinat e verës në Brda dhe Lugina e Vipavës prodhojnë vera natyrale të nivelit të lartë. Peizazhi? Liqene akullnajore, pyje të dendura dhe male dramatike sa Zvicra.

Gjithnjë e më shumë udhëtarë po e zbulojnë – veçanërisht ata që duan aventurë të butë: peshkim, ecje, çiklizëm. Hotel Milka në Alpet Juliane ofron minimalizëm elegant me pamje nga dritarja deri në majat e maleve. Restoranti i tij drejtohet nga shefi David Žefra, me menu që përfshijnë salmon të Danubit me lule bliri ose mish dreri me qershi të fermentuara.

Si të shkoni: Fluturime më pak se 2 orë nga Parisi, Frankfurti apo Zyrihu për në Ljubljana. Më pas, rreth 1 orë me makinë deri në Hotel Milka.

Liqeni Orta dhe Dolomitet, Itali

Teksa Venecia dhe Amalfi janë plot njerëz, Liqeni Orta në Piemonte është alternativa e qetë. Në Casa Fantini (11 dhoma), mund të merrni një varkë elektrike me një shportë pikniku dhe të lundroni të qetë. Vizita në ishullin San Giulio dhe bazilikën e shekullit XII është pjesë e përvojës.

Shumë udhëtarë e kombinojnë me një qëndrim në Dolomitet, rreth katër orë me makinë larg. Përtej Aman Rosa Alpina, spikat edhe Ancora Cortina — hotel me 35 dhoma në qendër të qytetit, rikthyer në jetë nga themeluesi i Diesel dhe mjeshtri i mikpritjes Aldo Melpignano. Rreth e qark, biznese familjare me histori 100-vjeçare, si pastiçeria Lovat.

Si të shkoni: Fluturoni në Milano, pastaj 60–90 minuta me makinë për në Orta. Nga aeroporti i Venecias në Cortina janë rreth 2 orë.

Menorca, Spanjë

Eklipsuar dikur nga jeta e natës së Ibizës dhe shkëlqimi i Mallorcës, Menorca tani po bëhet perla e papritur e Balearëve — me shtigje të pafundme për ecje, klube plazhi të qeta dhe laguna të mbrojtura me faunë të rrallë. “Është shumë më pak kaotike se Ibiza apo Mallorca,” thotë India.

Dy prona të reja – Santa Ana dhe Son Ermità – janë shembull i luksit të heshtur. Santa Ana (vetëm 6 dhoma) jepet ekskluzivisht për një grup, ndërsa Son Ermità (11 dhoma) ofron qasje të përbashkët në 800 hektarë tokë dhe një restorant me fokus te frutat e detit. Ideale për ecje, kayak dhe vizita në galerinë inovative Hauser & Wirth në zemër të ishullit.

Si të shkoni: 1 orë fluturim nga Barcelona, rreth 90 minuta nga Madridi. /AutoPortali

TË FUNDIT