Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së mërkures, më 30 korrik, rreth orës 23:30, në aksin Cërrik–Gramsh, ku një 66-vjeçar ka humbur jetën pas daljes nga rruga me motomjetin që drejtonte.
Sipas informacioneve të sotme të Policisë, viktima është shtetasi me inicialet O.K., i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka përfunduar jashtë rruge. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
“Më datë 30.07.2025, rreth orës 23:30, në aksin rrugor ‘Cërrik–Gramsh’, shtetasi O. K., 66 vjeç, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Për shkak të dëmtimeve, drejtuesi i motomjetit ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë, transmeton AutoPortali.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Ngjarja po hetohet. /AutoPortali



